“Jemi të gjithë përgjegjës, u njollosëm nga disa individë”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, komentoi për herë të parë incidentet që ndërprenë për 20 minuta ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë. Duka thotë se atmosfera u njollos nga disa individë, por nuk shmang përgjegjësinë e të gjithë organizatorëve.

“Ngjarje me të vërtetë e turpshme, që nuk na nderon, njollos futbollin, por që të gjithë ne duhet të ndjejmë përgjegjësi, të nxjerrim mësime dhe të përmirësohemi për të ardhmen dhe jo të drejtojmë gishtin nga njëri-tjetri, pasi të gjithë ne jemi fajtorë, që nga ne si organizatorë, ata që duhet të na ndihmojnë apo tifozët në shkallët e stadiumit. Është vërtetë mëkat kur 22 mijë tifozë në stadium krijuan një atmosferë shumë të mirë, por nga disa individë të njollosemi apo të penalizohemi”, tha Duka.

Kreu i FSHF-së tha se do të ketë edhe një aktivitet për të testuar sigurinë në stadiume i planifikuar më herët.

“Pas pak ditëve ne do të kemi një tjetër aktivitet për sigurinë e stadiumeve. Një aktivitet i planifikuar më parë, por që në fakt me ngjarjet e fundit në stadium bëhet edhe më emergjente, për mënyrën se si ne duhet të organizohemi më mirë, se si të gjithë faktorët dhe aktorët duhet të bëjnë më mirë organizimin e një ndeshje”, u shpreh Duka.

Ekspertë të fushës nga UEFA do të jenë në Tiranë për të ndjekur ndeshje të kampionatit shqiptar dhe sidomos në ndeshjet derbi për të parë masat kundër incidenteve, pasi në Tiranë do të luhet më 25 Maj të vitit të ardhshëm finalja e Conference League.

Tv Klan