Autoritetet lokale të Kamenit organizuan një pritje speciale për kuqezinjtë, sapo ata mbërritën në ‘SportCentrum Kaiserau’.

Të pranishëm ishin shumë fëmijë dhe familjarë të komunitetit shqiptar, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i falenderoi për pritjen dhe i ftoi që të gjithë së bashku ta shijojmë Kampionatin Europian.

“Dua t’ju falenderoj të gjithëve. Të gjithë fëmijët dhe të tjerët për pritjen fantastike dhe të ngrohtë që kanë organizuar për ne, që nga aeroporti i Dusseldorfit e deri këtu. Pavarësisht se ne fizikisht nuk kemi qenë këtu, e kemi ndjerë ngrohtësinë tuaj në çdo moment dhe detaj që ekipi jonë këtu të ndihet si në shtëpi. Të gjithë ne shqiptarët jemi vërtetë shumë të lumtur dhe krenarë që jemi pjesë e këtij kompeticioni, më i rëndësishmi sportiv për mua në botë.

I ftoj futbollistët tanë dhe të gjithë shqiptarët që do të ndjekin ekipin Kombëtar që ta shijojnë vërtetë këtë Europian. Ne jemi skuadra e parë mike që vijmë në Gjermani për Kampionatin Europian. Kështu që duke qenë të parë unë uroj që të kemi këmbën e mbarë për të gjithë Kampionatin Europian dhe të kemi një Europian sa më të mirë e të bukur që ta shijojnë të gjithë që do jenë pjesë, në Gjermani, në stadiume dhe në televizionet e të gjithë botës. Ta shijojmë të gjithë bashkë dhe pse jo Shqipëria të fitojë.”

Vëmendja e kuqezinjve tashmë është e gjitha për kampionatin europian. Ekipi do të punojë për t’u përgatitur për ndeshjen e parë të këtij eventi, kundër italise më 15 Qershor.

Përballjet e kuqezinjve, si edhe takimet e tjera të “Gjemrani 2024” do të transmetohen Në televizionin Klan.

Klan News