Klea Huta dhe Florian Binaj po sjellin një bashkëpunim të titulluar “Komshinjtë”, një shfaqje  teatrale për të gjitha moshat por e luajtur nga aktorë të rinj, nga 16-21 vjeç.

Të ftuar në “Rudina” në Tv Klan për  të treguar mbi projektin dhe edukimin e aktorëve të rinj, ata kujtojnë edhe momentet e tyre në skenë. Nga ritualet e deri te rolet më të vështira, Klea dhe Flori tregojnë me shumë humor situatat e ‘parehatshme’ të profesionit.

Klea Huta: Unë kam patur rolin e një qeni, po, ka qenë një nga rolet që unë e kam dashuruar dhe e kam realizuar më mirë se çdo rol tjetër që kam bërë në teatër.

Rudina Magjistari: Vërtet? Kur ka qenë, cila shfaqje ishte kjo?

Klea Huta: Ka qenë kur kam mbrojtur diplomën në fakultet.

Rudina Magjistari: Dhe ti kishe rolin e një qeni. Ishte rol i vështirë?

Klea Huta: Po, po, po.

Rudina Magjistari: Po çfarë, fliste qeni?

Klea Huta: Fliste, por duhet të kishte gjestikulacionin, pozicionin dhe ka patur shumë punë parapërgatitore që unë të arrija të krijoja figurën e qenit.

Florian Binaj: Njerëzit e mendojnë kollaj, po qeni ka një tjetër gjuhë trupi, bën një bau-bau po… nuk është e kollajtë.

Rudina Magjistari: Flori, po për ty?

Florian Binaj: Kurse unë,  rapë ka qenë një nga këto gjërat që ne i mendojmë shumë të thjeshta për t’u bërë, kam pasur rolin e një të vdekuri. Vdiste në një moment pasi kishte bërë shumë vrap e hedhje dhe të ndalosh në një moment vetëm frymëmarrjen duhet ta kontrollosh sepse ngjan trupi që fryhet e shfryhet nga frymëmarrja, mirëpo ti duhet të bësh rolin e të vdekurit që nuk merr frymë, janë rrahjet e zemrës e të tjera me radhë. Ështëë një mundim i jashtëzakonshëm, kur trupi duhet të marrë frymë ti duhet ta shtypësh, kur trupi duhet të shfryhet duhet ta frysh derisa të qetësohen muskujt.

Klea Huta: Kur e mendoj më kap ankthi.

Florian Binaj: Po dhe është një gjë jashtëzakonisht e vështirë për ta bërë./tvklan.al