Në një pyll shiu në veri të Australisë është gjetur një thithëlopë kallamsheqeri kaq e madhe sa autoritetet e jetës së egër menduan se nuk ishte e vërtetë.

Specia “përbindësh” është 6 herë më e madhe se thithëlopat e zakonshme, peshon 2.7 kg dhe mund  të vendosë një rekord të ri botëror, shkruan “BBC”. Kafsha u vendos në një kontejner dhe më pas u largua nga pylli.

Thithëlopat, të cilat në Australi u shfaqën për herë të parë në vitin 1935, janë një nga kafshët më të dëmshme në këtë vend dhe tani numri i tyre arrin në qindra milionë.

Kur rojtarja e parkut, Kylee Gray pikasi për herë të parë amfibin gjigand teka patrullonte në Queensland,  nuk mund t’i besonte syve. “Nuk kam parë kurrë diçka kaq të madhe. Dukej si një top futbolli me këmbë. E quajtëm Toadzilla”, tha ajo.

Ekipi i saj e kapi amfibin, i cili mendohet të jetë femër dhe e peshoi menjëherë. Ata kuptuan se ishte e rëndë, por u habitën kur panë se mund të vendosë një rekord të ri. Rekordi i tanishëm Guiness për thithëlopën më të madhe në botë mbahet nga Suedia prej vitit 1991, 2.65 kg.

Sipas rojtares, dieta e saj duhet të ketë qenë insekte, zvarranikë dhe gjitarë të vegjël. “Një thithëlopë  kallamsheqeri ha gjithçka që nxë goja e saj”. Këto  lloj thithëlopash nuk kanë grabitqarë natyralë në Australi ndaj dhe shkaktojnë dëme të mëdha në të mbjellat e kallamsheqerit.

Nuk dihet se sa vjeç ishte amfibi gjigand, por sipas Gray, kjo specie mund të jetojë deri në 15 vjet në liri. Thithëlopës iu krye eutanazia sipas procedurës standarde në Australi për parazitët dhe do i dhurohet Muzeut të Queensland./tvklan.al