Grida Duma ka deklaruar këtë të premte nga emisioni “Zonë e Lirë” se nuk ka argumente se pse kërkohet largimi i Lulzzim Bashës nga drejtimi i PD-së. Sipas saj, po ashtu ende nuk është e argumentuar se përse zëvendësimi i tij do të ishte më mirë për selinë blu.

Në këtë mënyrë, Duma i ktheu përgjigje ish-ministrit Arben Imami, i cili ishte i ftuar para saj në studio përballë Arian Çanit dhe Arjan Curit. Deputetja e zgjedhur e PD-së tha se e ka mbrojtur Arben Imamin në vitin 2013 kur Kryeministri Edi Rama kërkonte ndëshkimin e tij.

“Nuk ka pasur ndonjëherë tezë, antitezë dhe sintezë në politikën shqiptare sepse në fakt ka qenë autoritare në stilin e vet dhe ata që janë përpjekur të bëjnë izma, skizma e të tjerë në fakt në përfundim, përfshi edhe atyre që tani po bënit një dialog (Arben Imamit). Unë e mbaj mend veten në 2013 se si në një studio tjetër këtu në televizionin tuaj kam bërë një debat 3 orësh në ‘Opinion’. Sepse në 2013 nuk e mbaj mend kush ka qenë nga PS-ja atë kohë, por mbaj mend çfarë ishte qëndrimi im. Shkoj në një emision të ‘Opinionit’ për të mbrojtur Ben Imamin sepse kryeministri, i sapo zgjedhur atë kohë, Rama, bërtiste, ‘të dënohet, të dënohet, të dënohet’. Nuk kisha asnjë njohje dhe pavarësisht nuk dija se cila ishte arsyeja që bërtitej kundër tij nga Rama, përsëri e mbrojta me një parim moral të madh, pa asnjë miqësi të madhe. Kush ishte parimi? Një kryeministër nuk mund të ulërasë ‘duhet të ndëshkohet apo të dënohet’ kushdoqoftë sepse janë organet e drejtësisë ato që e përcaktojnë. Ishte një gijotinë politike. Ajo që dëgjon sot është po e njëjta përsëritje politike sepse në një mënyrë apo tjetër, a e bën Ben Imamin bashkëpunëtor me Ramën fakti që ai nuk u ndëshkua në fund? Për mua jo, jo apriori. Por a mund të përdorej nga një spekulant që do të donte t’i bënte keq Ben Imamit që do thoshte ore ky bashkëpunoi me Ramën që shpëtoi? Nuk argument në këtë moment në këtë politikë. Ka vetëm sipërfaqe. Nuk ka argument se pse kërkohet ikja dhe nuk është e argumentuar se përse zëvendësimi do të ishte më mirë”, tha Duma./tvklan.al