Një ditë pasi gjykata e Strasburgut shpalli të paligjshëm masën e arrestit për Thoma Gëllçin, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se masat e sigurisë kërkuar nga institucioni që ai drejton, janë proporcionale dhe ne zbatim të ligjit.

Në një tryezë të rrumbullakët, për prezantimin e raportit për punën e institucioneve të posaçme, Dumani tha se përpjekjet për ta nxjerrë Prokurorinë e Posaçme si institucion represiv, janë të dështuara.

“Më pak se 9% e të paraburgosurve janë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar. Sa i takon korrupsionit rreth 49% janë hetuar në gjendje të lirë. SPAK në kërkesat që bën është e kujdesshme të vlerësojë kriteret dhe kushtet që parashikohen. Po të shohësh trendin, është në rënie sa i takon masave të sigurimit arrest me burg. Hidhini sytë çfarë ndodh tej SPAK, SPAK është një institucion me kompetencë të kufizuar për disa vepra penale”, tha Dumani.

Kreu i SPAK shtoi se tashmë ata janë një institucion i konsoliduar dhe se epoka e pandëshkueshmërisë nuk është më e paprekshme.

“SPAK ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet”, tha Dumani.

Për Dumanin, SPAK është një nga institucionet me të kontrolluara, që raporton dhe jep llogari para KLP, Kuvendit dhe ILD-s. Në të njëjtën linjë ishte edhe nënkryetari i Gjykatës së Posaçme Erion Bani.

“Lidhur me integritetin si GJKKO dhe SPAK dhe BKH janë institucione më të monitoruara, për shkak të ligjit. Jo vetëm gjyqtarët, por edhe familjarët i nënshtrohen kontrollit periodik të pasurisë, monitorimit nga drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe mund të përgjohen në kohë reale të gjitha komunikimet, të gjitha mesazhet. Sa i takon integritetit, besueshmërisë së gjyqtarëve ajo prezumohet në momentin që janë emëruar. Kush ka indicie në lidhje me integritetin duhet t’i adresojë në organet kompetente”, tha Bani.

I pranishëm në këtë tryezë, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato shprehu mbështetjen për punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme.

“Duhet të kemi besim tek arkitektura e Reformës në Drejtësi. Llogaridhënia dhe pavarësia qëndrojnë në thelb të çdo shoqërie demokratike. Kemi parë rezultate në luftimin e krimit e organizuar, atë kibernetik dhe financiar. Do vazhdojmë t’i japim mbështetje Reformës në Drejtësi”, tha Gonzato.

Në mbështetje të SPAK dhe Gjykatës folën edhe drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.

Tv Klan