Kryeministri Edi Rama në një komunikim live me komentuesit në rrjetet sociale i ktheu përgjigje edhe atyre që i kërkojnë dorëheqjen.

“Për çfarë arsyeje për shembull se është shumë interesant kjo punë, bëhu si burrë jep dorëheqje. Për cilën arsye? Nuk dua ta diskutoj më sot çështjen. Pra me çështjen do merremi me shumë maturi dhe do ndërtojmë një pozicion shumë konstruktiv publik, të hapur sepse e thashë që kjo është e domosdoshme”, tha Rama.

Ai u shpreh se Partia Socialiste është forca që e çliroi drejtësinë nga politika. Këtu mori rastin e Altin Dumanit, për të cilin tha se më parë ka qenë prokurori i 21 Janarit, por e ka pasur të pamundur luftën kundër korrupsionit sepse atëherë drejtësia ka qenë e kapur.

“Si ndodhi kjo? Se duhet thënë si ndodhi? Ra nga qielli kjo? Altin Dumani për shembull që është drejtues i SPAK e ka pasur 21 Janarin në tavolinë edhe më parë kur ka qenë në një prokurori të zakonshme. Ka qenë prokuror i 21 Janarit. Ka pasur mundësi ta luftojë korrupsionin edhe atëherë. Dini gjë që të ketë bërë ndonjë luftë kundër korrupsionit që t’i ketë dalë emri siç i ka dalë tani? Jo sepse ka qenë e pamundur jo vetëm për të, por për të gjithë sepse drejtësia ka qenë e kapur. Sot drejtësia doni apo s’doni ju, apo ata që bëjnë kuakuakua dhe ata që u shkojnë nga mbrapa, me profile false apo me verbërinë e fanatikut që lahet në kënetë dhe kujton se po lahet në det, drejtësinë e ka çliruar nga kontrolli i pushtetit politik forca politike që unë kam privilegjin të udhëheq”, tha Rama.

Përgjigje i ktheu edhe atyre që thonë se gjysmën e qeverisë e ka në burg. Me llogaritë e tij, Rama thotë se nuk bëhen as 6 ish-ministra, nga 60 që ka pasur gjithsej, që kanë pasur ose kanë probleme me drejtësinë.

“Tani jemi në pushtet prej 12 vitesh, disa thonë gjysma e qeverisë. Këtu llogarisni dikë që ka qenë në qeverinë e parë? Qoftë i partisë së parë, qoftë i koalicionit. Më tregoni një anëtar i kabinetit qeveritar që nuk ka qenë i larguar dhe që është marrë dhe është trajtuar pastaj nga drejtësia për arsyet e veta nuk kam asnjë koment për këtë ende. Kam pasur 60 ministra, nuk bëhen as 6 ish-ministra që kanë pasur apo kanë probleme me drejtësinë. Çfarë domethënë kjo? Do të ishte më mirë që të mos ishte asnjëri, do ishte më mirë të kishim një sistem që më parë dhe të bënim sikur luftonim korrupsionin dhe mos t’i shihnim derën jo të negociatave por as të shpresës për negociata në BE. Mund të jeni kundër meje, mund të doni dikë tjetër etj., etj., por arsyeja pse nuk fitoni dhe nuk keni për të fituar është se nuk dini të ndani atë që është e Çezarit me atë që është e të zotit. Kjo nuk është betejë futbollistike. Kjo është betejë për Shqipërinë dhe vendin e përbashkët. Gjithë veprat publike, gjithë reformat, shërbimet publike online bëhen për të gjithë. Nga ato shërbime përfitojnë të gjithë. Çfarë flisni? Cilën dorëheqje, kërkoni? Të kujt, timen? Por për çfarë arsye? Apo pse e kemi sjellë Shqipërinë në pozicione që nuk ka qenë kurrë më parë, por se në 2030 do ta ngjisim në majën ku i takon dhe ku e kanë aspiruar të gjithë”, tha Rama./tvklan.al