Durrës, hapet zyre e re e aplikimit për karta ID e pasaporta biometrike

Durrës, hapet zyre e re e aplikimit për karta ID e pasaporta biometrike

17:12 04/07/2019

Në njësinë nr. 6 në Durrës, që ka rreth 43 mijë banorë, janë hapur zyrat e reja moderne të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, duke u lehtësuar se tepërmi këtë shërbim rezidentëve të kësaj zone.

E pranishme në ceremoninë përuruese zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, u bëri thirrje të gjithë qytetarët e Durrësit, të nxitojnë dhe të aplikojnë për dokumentet e reja, në rast se ato skadojnë gjatë këtij viti.

Voda me këtë rast u shpreh se “sot jemi në Durrës, në njësinë administrative nr. 6. Teksa po bisedonim me Prefektin, me përfaqësuesin e “Aleatit” e të Gjendjes Civile, por dhe me Kryetarin, më bëri përshtypje në fakt edhe e meriton të thuhet, shprehja e tij – sot këtu jemi në Durrësin e ri! Ndoshta ka një kuptim kjo shprehje për faktin se ndodhemi në një zonë tashmë tërësisht të integruar në qytetin e Durrësit, për shkak të shërbimeve që iu ofrohen qytetarëve të kësaj zone.

Kemi zyra dinjitoze të gjendjes civile dhe sot është hapur një zyrë e veçantë aplikimi. Sigurisht me kontributin e njësisë së qeverisjes vendore këtu, pra të bashkisë Durrës, patjetër të kryetarit të njësisë, por edhe të “Aleatit”, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Gjendjes Civile, në mënyrë që 43 mijë banorët e gjithë kësaj zone, të kenë mundësi të vijnë të aplikojnë me kushte dhe standarde të një cilësie shumë të lartë, për t’u pajisur me karta të reja identiteti dhe pasaporta biometrike.”

Më tej zv.ministrja theksoi se “ajo çfarë unë do t’u bëja thirrje të gjithë banorëve, të 43 mijë banorëve të kësaj zone, do të ishte patjetër që tashmë kanë mundësinë të vijnë, të aplikojnë. Është një kohë shumë e shkurtër, aplikimi nuk merr veçse 3-4 minuta kohë, zyrat janë në kushte shumë të mira, kanë patjetër punonjësen këtu në dispozicion, shërbimi i Gjendjes Civile është afër për çdo problematikë. Mos të harrojmë që kemi dhe fluksin e emigrantëve që na vijnë nga jashtë. Durrësi është një qytet që mirëpret dhe ka shumë banorë të tij që janë emigrantë. Për shkak edhe të fluksit, por edhe të rinovimit të pasaportave biometrike, unë do t’i inkurajoja që të gjithë që në këto ditë të para të korrikut, të vijnë sa më parë, të vijnë në këtë zyrë, do të thoja tepër moderne dhe të aplikojnë e të pajisen me  karta të reja identiteti.”

Përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare z.Jean Alean nënvizoi se “dua të falënderoj Bashkinë Durrës, Prefektin e Durrësit dhe natyrisht zv.ministren e Brendshme për bashkëpunimin në hapjen e kësaj zyre. Është e rëndësishme jo thjesht hapja e një zyre të madhe, por me terma të ngushtë, sigurimi i një shërbimi sa më afër qytetarit.

Sot është një mundësi e mirë për ta treguar këtë, pra që ne po vijmë gjithmonë e më pranë qytetarëve, duke lehtësuar shërbimet për marrjen e pasaportave apo kartave të identitetit. Është vërtet kënaqësi për mua të jem këtu sot. Faleminderit sërish, bashkisë, prefektit dhe Zv. Ministres së Brendshme, që mbështetën përurimin e kësaj zyre.”

Prefekti i Durrësit Roland Nasto u ndal në investimet e kryera nga bashkia Durrës në këtë zonë “unë ndihem shumë i lumtur dhe i kënaqur sot që hapet kjo zyrë dhe që ka të bëjë me një nga shërbimet shumë madhore dhe të nevojshme që ka popullsia e kësaj zone, rreth 43 mijë banorë, që nuk janë pak. Por do të thoja që është një mbështetje e Ministrisë së Brendshme, e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, që bënë të mundur, në bashkëpunim me bashkinë, me kryetarin e bashkisë z.Dako, që jo vetëm këtë zyrë, jo vetëm këtë ndërtesë, por e ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme këtë komunitet, i cili ka ardhur nga gjithë Shqipëria në një zonë që ka qenë jashtëzakonisht e keqe.

Sot ne shikojmë një zonë të përparuar, me kanalizime, me ujë, me rrugë, me drita, me ndërtesa të mira, të bukura, ka të bëjë me rritjen e mirëqenies së të gjithë komunitetit këtu. Dhe vijmë sot duke parë këtë ambient dhe këtë zyrë me punonjës. Do t’u bëj thirrje të gjithë banorëve, të vijnë sa më shpejt të aplikojnë për pasaporta biometrike por dhe për kartat e identitetit. Kjo ka të bëjë shumë edhe me pajisjet, që këta banorë duhet ta kenë dhe të jenë të rregullt në bazë të ligjit.”

Administrator i Njësisë 6,  Durrës, Serjan Mazreku falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen për zonën.

“Është një zonë që ka banorë nga gjithë Shqipëria dhe është krijuar në 20 vitet e fundit, dhe janë bërë 43 mijë banorë. Mbështetja e dhënë nga bashkia e Durrësit dhe qeveria shqiptare po e kthen realisht në një Durrës të ri”.

Të ngjashme
UKT