Gjendja shëntetësore e biznesmenit Xhemal Çela është rënduar. Nga Spitali rajonal i Durrësit është transportuar për në Spitalin Amerikan në Tiranë, për ndihmë më të specializuar ku mësohet së ndodhet në gjendje kome.
Ka qenë ora 10.30 e dites së djeshme kur makina e tij u hodh në erë teksa po lëvizte në segmentin Plazh – Plepa, në Durrës.
Drejtuesi i saj, Xhemal Çela, biznesmen ndërtimi është plagosur rëndë.
Makina u përfshi nga flakët në pak sekonda. Ndihma e parë të plagosurit iu dha nga kalimtarë të rastit.
Disa dëshmitarë në vendngjarje thanë se drejtuesi duket se e ka kuptuar që në automjet është vendosur një sasi eksplozivi, pasi ka frenuar befas dhe ka tentuar të hapë derën për të dalë jashtë.
Biznesmi Çela u dërgua fillimisht në spitalin e Durrësit e më pas u transportua në Tiranë pranë spitalit amerikane, për shkak të gjendjes së rëndë.
Policia konfirmoi se shpërthimi i makinës është kryer me eksploziv dhe është komanduar në distancë.
Shkaqet e ngjarjes ende nuk dihen, por mësohet se biznesmeni Çela nuk kishte precedentë dhe njihej si njeri pa probleme.
Atentatet me tritol nuk janë më ngjarje të ralla në Shqipëri. Vetëm në 1 muaj numërohen 8 të tillë.
- Më 18 Dhjetor një sasi eksplozivi shpërtheu në një lokal pranë shkollës së Baletit në Tiranë. Pati vetëm dëme materiale.
- Dhjetë ditë më vonë, në Ersekë drejtori i Ujësjellësit i shpëton një atentati, kur makina e tij u hodh në erë me tritol.
- Në të njëjtën natë, një shpërthim po me tritol dëmtoi një lokal në Fushë Krujë.
- 31 dhjetori, nata e ndërrimit të viteve do të regjistronte edhe atë që policia e quajti si akt terrorist. Bëhet fjalë për një tentativë për të rrëzuar me tritol një shtyllë të tensionit të lartë në Milot.
- 5 janari do të trondiste Pogradecin. Një bombë defensive u hodh në shtëpinë e kryetarit të degës së Partisë Demokratike Luan Lipo. Fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
- Më 20 janar, pre e një atentati të tipit mafioz ra kryetari i komunës Qendër të Vlorës. Makina me të cilën ai po udhëtonte u hodh në erë me eksploziv të telekomanduar, në mes të qytetit. Fredo Berberi është ende në spital me plagë të rënda.
- Një ditë më pas një sasi tritoli shpërtheu në oborrin e komisariatit të policisë së Fushë – Krujës ku u dëmtua vetëm një makinë.
- Në të njëjtën ditë, me tritol u sulmua edhe shtëpia e shefit të policisë së burgjeve të Fushë – Krujës, Lulzim Haxhia.