Ariva Lajme – Tv Klan 1999

Çdo dyqan i zbukuruar dhe lyer sipas shijeve të çdo pronari në qytetin e Durrësit në zonën e quajtur “Rruga Tregtare” tashmë do ketë një pamje tjetër unike. Sot bëhet inagurimi i zonës së parë të përmirësimit të biznesit në Shqipëri si dhe projekti i parë pilot që zbatohet në Europë.

Në ceremoninë e fillimit të projektit merr pjesë Ambasadori Amerikan Limpreht, Zëvendës Ministrja e Pushtetit Lokal, Kryetari i Bashkisë Durrës Arqile Gorea dhe Drejtori i USAID Sumka. Ky projekt është financuar nga Qeveria Amerikane dhe administruar nga projekti i administrimit publik PAPA.

Agjensia e SHBA për zhvillimin vë në dispozicion 50 mijë dollarë për ndriçimin e rrugëve dhe lyerjen e fasadave të dyqaneve. Rruga Tregtare i nisur nga porti i Durrësit, e deri tek Bashkia, përfshin 72 biznese tregtare dhe shërbime të llojeve të ndryshme.

Në takimin me kryetarin e bashkisë në zyrën e tij zoti Gorea ka thënë fjalën se do përpiqet për të integruar këtë qytet drejt Perëndimit. Ndërsa Limpreht është shprehur se duke punuar së bashku mund të ndërtojmë diçka të mirë. Më pas është parë maketi i këtij projekti, i cili është ndërtuar duke u bazuar mbi zonat e ngjashme të SHBA. Ky projekt përfshin vendosjen e një Partneriteti Publik Privat.

Shtëpia e Kulturës ishte pritësja e fundit e këtij takimi që këtë radhë bëhej edhe me përfaqesues të biznesmenëve të cilët janë vetpjesmarrës në projekt. Ambasadori Limpreht ka shpjeguar se zona e përmirësimit të biznesit në rrugën tregtare duhet të jetë një shembull për popullsinë shqiptare. Porti më i rëndëishëm i Shqipërisë, pas pak muajsh do të ketë një rrugë edhe më të bukur./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti