Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin bregdetar të Durrësit. Një person është vrarë me armë zjarri në një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit.

Viktima është Edmond Koçi, 40 vjeç. Ai njihet edhe me emrin Mond Çekiçi dhe është një person i njohur për lidhjet e tij me krimin. Çekiçi ka qenë pjesë e bandës së Lulzim Berishës, ndërkohë që është dënuar më parë nga drejtësia për krime të ndryshme. 40-vjeçari u qëllua nga persona ende të paidentifikuar.

Disa momente pas krimit, Policia e Durrësit njoftoi se është gjetur një mjet i djegur tip “Benz” në Sukth. Aty autoritetet kanë gjetur një armë zjarri kallashnikov që dyshohet se është përdorur për vrasjen. Policia ka nisur hetimet dhe pista e parë që po hetohet është ajo e larjes së hesapeve për shkak të së shkuarës kriminale të Mond Çekiçit.

Dinamika e ngjarjes

Burime për Tvklan.al bënë me dije se viktima po udhëtonte me shoferin e tij në momentin e ngjarjes. Autorët i kanë prerë rrugën me një mjet tjetër. Kur shoferi i Çekiçit ka dalë nga makina për të pyetur se çfarë ka ndodhur, autorët kanë dalë nga mjeti që po udhëtonin dhe me breshëri kanë ekzekutuar 40-vjeçarin. Sipas gazetares Enkeleda Arapi dyshohet se kanë qenë më shumë se dy persona që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë. Nga dëshmitë e para në vendin e ngjarjes, një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, mësohet se autorët kanë qenë të pamaskuar kur kanë kryer atentatin.

Kush është Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi?

Tvklan.al mëson se 40-vjeçari njihet si person problematik në Durrës. Ai ka qenë pjesë e bandës së Lul Berishës vite më parë. Çekiçi ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Disa vite më parë ai është dënuar me 2 vite burg për shkak të armëmbajtjes pa leje. Emri i 40-vjeçari është i lidhur me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Durrës.

Pistat e hetimit

Paraprakisht autoritetet po hetojnë pistën e larjes së hesapeve. Kjo për shkak të së kaluarës kriminale të Çekiçit. Megjithatë, nuk përjashtohen edhe pistat që mund të bëjnë me ndonjë aktivitet të mundshëm të jashtëligjshëm të Çekiçit vitet e fundit, ku mendohet se mund të jetë përfshirë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike./tvklan.al