Të mbijetuarit rrëfejnë momentet e tragjedisë

Ka kaluar një vit nga tërmeti i Nëntorit të kaluar, por përjetimet e asaj  dite mbeten ende të gjalla. Blerim Lala, i cili humbi 8 anëtarë të familjes që jetonte në zonën e ish-Kënetës në Durrës e ka ende të vështirë të flasë për ato momente.

Nuk e di si të ta përshkruaj, nga momenti në moment prisnim të shpëtonte të paktën njëri të shpëtonte. unë kam humbur nipër e mbesa… s’duam ta kujtojmë ende s’na besohet, mundohemi të ecim përpara por vështirë

Tërmeti i 26 Nëntorit i mori gruan, vajzën dhe mbesën 9-vjeçare Ajet Meçajt. Ai mundi të dilte i pari nga godina 6 katëshe thotë se në mendje ka ende zërat e familjarëve që kërkonin ndihmë mes rrënojave.

Është një breng në shpirt e parikuperueshme. Atë ditë mua më ka mbetur në mendje ulërimat e vajzës së vogël dhe thirrjet e vajzës së madhe për të dal.

Kur kam dal nga rrënojat kam shikuar nga pallati nuk po orientohesha se nuk kishte pallat, kam hip në rrënoja dhe kam thirrur me të madhe e më përgjigjeshin po me një zë shumë të thellë. I thoja duro zemrat babit.. mua më ndodhi ajo që nuk duhet ti ndodhi askujt në botë”.

Nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar Durrësi pati 24 viktima dhe dëme të shumta materiale. Në bashkinë e këtij qyteti thonë se rindërtimi u godit nga pandemia.

Nga 4800 familje që u trajtuan me bonus qiraje, listës i janë zbritur vetëm 200 prej tyre pasi janë rikthyer në shtëpitë e rikonstruktuara, ndërsa pjesa tjetër mbeten ende në pritje. Po punohet për rehabilitimin e ambienteve të përbashkëta të pallateve, ndërsa nga 1024 objekte individuale vetëm për rreth 430 ka nisur zbatimi.

Tv Klan