Për herë të parë qytetarët e Durrësit, si dhe turistët e shumtë që po frekuentojnë qytetin bregdetar gjatë kësaj periudhe, kanë shijuar spektaklin e 30 varkave me vela. Ato mbërritën nga Italia pasi bregdeti shqiptar u këtë vit pjesë e xhiros së Italisë së varkave me vela, organizuar nga Marina Ushtarake e vendit fqinj.

Pjesa shqiptare e garës ishte e emërtuar “Etapa e Vendit të Shqiponjave” si një shprehje e lidhjes së fortë midis Italisë dhe Shqipërisë. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, merrnin pjesë ministrat shqiptarë të mbrojtjes dhe të turizmit, si dhe kryebashkiakja e Durrësit ndërsa nga Italia kishte mbërritur senatorja italiane dhe zëvendësministrja e Mbrojtjes, Isabella Rauti.

Xhiroja e Italisë në vela është konsideruar si një mundësi për promovimin ndërkombëtar të Durrësit, me bregun e tij të mrekullueshëm, trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, kulinarinë, mikpritjen dhe cilësinë e akomodimit.

Janë 30 varka me vela të 3 kategorive që po garojnë këtë sezon. Gara përfshin një tur me 10 ndalesa. 9 prej tyre në Itali dhe për herë të parë u përfshi edhe Durrësi.

Tv Klan