Ngritja e kampeve të azilantëve për Europën në Shqipëri mund të shpëtojë pushtetin politik të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Ky është titulli me të cilin media gjermane “Deutsche Welle” shoqëron shkrimin që trajton planin që do të diskutohet në samitin e kësaj fundjave në Bruksel.

Kancelarja gjermane synon të qetësojë tensionet politike me aleatin e saj kristiansocial, ministrin e Brendshëm Horst Zehofer. Ai i ka vënë afat kancelares që brenda korrikut të gjejë zgjidhje për kaosin e emigrantëve ilegalë në Bashkimin Europian. Në të kundër do të rrëzojë qeverinë e saj për të vënë në zbatim programin e tij për mbylljen e kufijve të zonës Shengen për emigrantët e jashtëligjshëm.

Nismëtar i projektit është kancelari austriak Sebastian Kurz, i mbështetur nga disa vende të Bashkimit Europian si Holanda e Danimarka, por edhe nga Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk. Por zërat se vendet mbështetëse të projektit po diskutojnë me qeverinë shqiptare janë hedhur poshtë shefi i departamentit për komunikimin me mediat në kryeministri Endri Fuga – shkruan DW.

Në fundjavë vendet e BE –së do të diskutojnë në një samit për emigracionin. Por takimin e kanë bojkotuar udhëheqësit e disa vendeve të Europës Lindore, Hungarisë, Polonisë, Çekisë e Sllovenisë, të cilët e konsiderojnë atë si një favor që i bëhet kancelares gjermane. Ata kanë qenë kundër politikave të dyerve të hapura për emigrantët, që Merkel i zbatoi mandatin e kaluar.

Por pozitat e kundërshtarëve të kësaj politike tani janë më të forta mes vendeve të Bashkimit Europian, me ardhjen në pushtet të populistëve në Itali e Austri, që në programet e tyre qeverisëse kanë ashpërsimin e politikave kundër emigrantëve.

Tv Klan