Raphael Dwamena, 28 vjeç, ndërroi jetë teksa luante në ndeshjen Egnatia-Partizani të Shtunën në mesditë. Sonte në “Opinion”, foli për të edhe gazetari Artan Hoxha.


Sipas Hoxhës, Dwamena ishte unik, si futbollist ashtu dhe si njeri. I riu nga Gana kishte fituar zemrën e të gjithë shokëve të skuadrës, për të cilët shtoi Hoxha, kanë qarë me dënesë te spitali i Kavajës për të.

Artan Hoxha: Ky kishte një veçanti tjetër, se në futboll ka disa karaktere lojtaresh. Ishte lojtar që nuk e njihte hilen, nuk e niste një aksion e ta linte në mes, vraponte, i fuqishëm fizikisht. Pra një nga elementet që kishte, përveç aftësive teknike, është lojtar i Ganës ai…Nuk luajti dot më shumë për shkak të problemeve që pati me zemrën. Kam qenë duke e parë ndeshjen, dhe e kam ndjek gjithë aksionin, kam parë përsëritjen. Në të gjitha aksionet, deri në momentin që bie në fushë, ai është duke dhënë shpirtin, vrapon, triblon…

-Është mirë fizikisht po.

Artan Hoxha: Më social se ky, më i lidhur me ekipin, nuk e di a i ke dëgjuar ato dënesat e të qarat e shokëve të vet në spitalin e Kavajës. Ishte një lojtar që i bëri për vete të gjithë. Në vendet e zhvilluara, lojtarët janë të vetdijshëm që s’duhet të luajnë futboll, ai nuk e ka marrë parasysh këtë gjë. Ai ka thënë “unë do të luaj futboll”…

-E ka pasur dhe një mënyrë për të dalë nga varfëria, mjerimi…

Artan Hoxha: Jo nuk është se ai s’ka pasur lekë, ai i krijoi. Ai erdhi në Shqipëri, ishte shënuesi më i mirë. Erdhi nga Kupat e Europës dhe shkëlqeu. Shqipëria i dha mundësinë që të rikthehej prapë në treg dhe ai e donte këtë. Por, kjo është një ngjarje që ne duhet të na bëjë të mendojmë fort dhe të vendosim kriteret. Pra jeta e një njeriu vlen më shumë se karriera e tij sportive./tvklan.al