Dinamo e Tirana premtojnë spektakël në kupë e kampionat

Derbi i kryeqytetit rikthehet sërish, kësaj radhe me sfidën Dinamo-Tirana. Dy ekipet e kryeqytetit do të masin forcat dy herë brenda kësaj jave, fillimisht në kuadër të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, të mërkurën në orën 16:45 në stadiumin kombëtar “Air Albania’. Ndërkaq, Dinamo e Tirana janë rivalë edhe në kampionat, në javën e tetë të Superligës, ku këtë herë do jenë bardheblutë organizues. Sa i përket derbit të Kupës, Dinamo ka publikuar dhe çmimet e biletave për këtë supersfidë. Biletat variojnë nga 500 deri në 3000 lekë të rinj.

Ndërkaq, Tirana do të përballet në fundjavë për llogari të kampionatit me Dinamon. Ekipi bardheblu do të kërkojë të vijojë ecurinë pozitive të shtatë javëve të para dhe njëkohësisht të mbrojë kreun, mirëpo trajneri Orges Shehi do të duhet të bëjë llogarinë me dy mungesa të rëndësishme. Kjo pasi sfida me Vllazninë ka lënë pasoja duke qenë se Majkëll Ngo dhe Ardit Toli nuk do të jenë të disponueshëm. I pari ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë, ndërsa i dyti nuk i shpëtoi ndëshkimit me karton të kuq. Si pasojë asnjë prej tyre nuk mund të aktivizohet dhe të kontribuojë për Tiranën në këtë javë.

Klan News