Atentati ndaj Ndojës, 4 orë mbledhje në Policinë e Shtetit

Atentati ndaj Ndojës, 4 orë mbledhje në Policinë e Shtetit

13:30 03/11/2019

Disa të shoqëruar në Policinë e Durrësit, asnjë i ndaluar

Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një mbledhje që ka zgjatur më shumë se 4 orë ku çështje e vetme ka qenë atentati ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho i njohur edhe si Pëllumb Muharremi.

Burime të Tv Klan thanë se drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu ka kërkuar informacion nga grupi i ngritur për ngjarjen mbi ecurinë e hetimeve. Mësohet se Veliu ka kërkuar zbardhjen me prioritet të të gjitha provave të gjetura në të dy automjetet, atë me të cilën udhëtonte Ndoja, si dhe atë të atentatorëve.

Në makinën që dyshohet se u përdor në atentat, janë gjetur dy kallashnikovë, dy maska si dhe një shishe me benzinë, por edhe gjurmë gishtërinjsh. Të gjitha këto janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore ku po punohet për ndërtimin e një profili ADN-je që mund të çonte në identifikimin e autorëve.

Ndërkohë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit janë shoqëruar disa persona me precedent kriminal, por pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Në pyetje janë marrë edhe personat që kanë ndihmuar për nxjerrjen nga automjeti të personave të plagosur pas atentatit të së premtes. Arjan Ndoja dhe 48-vjeçari Aleksandër Laho i njohur edhe me njofkën “Rrumi”, qëndrojnë ende në spital, por jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje më të rëndë është Andi Maloku.

Prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj po i kryejnë hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja për dy akuza, atë të “vrasjes për shkak të rrethanave cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Për hetuesit është ende e paqartë se kush ka qenë në shënjestër, prokurori Ndoja, miku i tij Pëllumb Muharremi apo të dy bashkë.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi