Zemra e një nëne është thyer pasi Zoti i mori lart në qiell dy djemtë e saj. Caster Cookson ishte fëmija i dytë i çiftit Sarah dhe Christopher. Vogëlushi jetoi vetëm 24 ditë pasi nuk mundën t’i gjenin një zemër të re, për shkak se kishte lindur me probleme.

“Sot ai nuk mund të luftojë më. Djali ynë i guximshëm ‘vendosi’ krahët e engjëllit dhe fluturoi për tek vëllai i tij i madh. Ne jemi zemërthyer. Dy djemtë tanë janë në qiell pa mamin dhe babin e tyre. Zemrat tona nuk do të shërohen kurrë”

, njoftoi Sarah në një postim në Facebook.

Djali i parë i çiftit u nda nga jeta në vitin 2012 kur ai ishte 2 vjeç, pasi kishte lindur me një problem në sistemin imunitar.

Kur Sarah dhe Christopher kapërcyen dhimbjen dhe sollën në jetë djalin e tyre të dytë, u goditën sërish nga fatkeqësia. I porsalinduri kishte pësuar 3 arreste-kardiake brenda pak orëve dhe mjekët u thanë prindërve që vogëlushit i duhej një zemër e re. Mirëpo, i kishin mbetur vetëm pak ditë jetë, kohë e pamjaftueshme për të gjetur një zemër të re.

Rasti i familjes Cookson u bë publik në mediat britanike, pasi ata nxorrën një njoftim ku apelonin për një donator të përshtatshëm. Por, fatkeqësisht këto përpjekje ishin të pasuksesshme.

Sarah dhe Christopher kanë krijuar një organizatë bamirëse pasi humbën djalin e parë, për të ndihmuar familjet që kalojnë periudhë të vështirë në situata të tilla. Kjo organizatë deri më tani ka ndihmuar 59 familje të fëmijëve të sëmurë.

/tvklan.al