Andi Gavri iu drejua emisionit “Stop” për një problem që ka me diplomën e shkollës së mesme, çka e penalizon për t’u regjistruar në universitet.

“Kam mbaruar gjimnazin në Bilisht dhe kur shkoj të marr diplomën shikoj që më kanë vënë gabim fshatin dhe datëlindjen”,

tregoi denoncuesi. Ai shtoi se mund ta vërtetojë që të dhënat janë vendosur gabim nëpërmjet pasaportës.

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me gjyshen e të riut, pasi të dy dokumentet janë zyrtare dhe nuk dinte se kë prej tyre të besonte.

“Ka lindur më 13 Janar 1995, i mbaj mend (datëlindjet) e të gjithëve. Atë ditë, mos pyet, ishte dëbora deri këtu. Kam thirrur maminë e fshatit dhe ka lindur në shtëpi djali. I nakatosën ata, ç’do t’i bëjmë ne”,

u shpreh gjyshja e Andit.

Drejtori i shkollës së mesme “Fuat Babani” tha se për gabimin e diplomës i është drejtuar ZA-së Devoll.

“Gabimet mund të jenë bërë duke u plotësuar notat në sistem, ose mund të jenë te sistemi i vetë. Unë nuk e gjej dot tani se kush e ka gabimin. Megjithatë për të ndrequr gabimin, ne si drejtori shkolle kemi bërë një shkresë më 31 Korrik 2018 dhe ia kemi adresuar Zyrës Arsimore Devoll. Jemi në pritje për këtë rregullim. Nëse nuk rregullohet brenda limiteve kohore, ne do ta pajisim Andi Gavriun me një vërtetim me fotografi dhe notat dhe mund të regjistrohet normalisht”,

tha drejtori i shkollës së Andit.

Drejtori i ZA Devoll, Ilir Gjata pohoi që ishte vënë në dijeni të problemit dhe premtoi zgjidhjen e tij.

Ndërsa i pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop” lidhur me kostot e shpenzuara nga familja Gavri për një problem të institucioneve, drejtori Gjata nuk diti të kthente një përgjigje.

/tvklan.al