Studimi i kryer në Izrael tregon se marrja e vaksinës mund të frenojë përhapjen e Covid-19

Një studim i fundit i kryer në Izrael ka treguar se vaksina e Pfizer/BioNtech funksionon shumë më mirë me dy doza.

Rezulton se dy doza të vaksinës sigurojnë më shumë se 95% mbrojtje nga infektimi, format e rënda të sëmundjes apo edhe vdekja.

Një  dozë e vaksinës ishte pjesërisht efektive, duke ofruar 58% mbrojtje ndaj infeksionit, 76% kundër shtrimit në spital dhe 77% kundër vdekjes. Autorët e studimit të cilët i kanë publikuar të dhënat në revistën mjekësore Lancet thonë se kjo tregon rëndësinë e dozës së dytë.

Studiuesit zbuluan se vaksina siguron 95.3% mbrojtje ndaj infektimit dhe 96.7% mbrojtje kundër vdekjes, shtatë ditë pas dozës së dytë. Po ashtu vaksina rezultoi 92% efektiv kundër infeksioneve që nuk shkaktonin asnjë simptomë.

Studimi i tyre demonstron fuqinë e vaksinave për t’i dhënë fund koronavirusit. Sipas ekpertëve këto zbulime sugjerojnë që marrja e lartë e vaksinës mund të ndalojë në mënyrë domethënëse pandeminë dhe ofron shpresë për kontrollin përfundimtar të shpërthimit të Covid 19 ndërsa programet e vaksinimit rriten në të gjithë pjesën tjetër të botës.

Izraeli ka përdorur vetëm vaksinën Pfizer / BioNTech, duke qenë lider botëror në fushatën e vaksinimit. Mbi 72% e të rriturve mbi 16 vjeç dhe 90% e të moshuarve mbi 65 vjeç kanë marrë dy doza të vaksinës. 

Klan News