Sipas deputetes Mesila Doda ka dy fakte skandaloze sa i takon çështjes së Fredi Belerit. Sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan ajo deklaroi se së pari letërporosia e Prokurorisë së Tiranës nuk mori përgjigje nga Athina lidhur me kryebashkiakun dhe së dyti dosja e tij rezulton e vjedhur, pasi siç thekson Doda ka vetëm dy fletë brenda saj.
Mesila Doda: Meqënëse është çështja e kandidatit më të mirë, ne filluam të flasim qysh në Shtator për këtë çështje, qysh kur u tha emri i Belerit dhe kemi refuzuar si forcë politike ta imagjinojmë që ishte vërtet ky. Sepse po ta shikosh minoriteti grek ka figura të shkëlqyera që janë profesorë, janë miq tanë dhe ndërkohë gjejmë një person i cili ka një formim prej hidrauliku dhe është një person recidivist që ka marrë pjesë në masakrën e Peshkëpisë.
Ivi Kaso: Është deklaratë e fortë kjo, ka pushuar hetimet SPAK-u. Jo mor jo! Ku e di ti?!
Mesila Doda: Janë dy fakte që janë skandaloze, letërporosia e Prokurorisë së Tiranës që nuk i kthehet përgjigje nga Athina dhe e dyta në gjykatë dosja e Fredi Belerit është e vjedhur, janë gjetur vetëm dy fletë brenda. Këto lloj njerëzish nuk mund të mbrohen, s’ka asnjë kuptim!
Më herët, Doda nxorri dhe foto të Belerit me flamurin e Vorio-Epirit dhe citoi dëshminë e penalitetit të tij./tvklan.al