Nëna e 4 fëmijëve rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan vështirësitë dhe vuajtjet që ajo ka kaluar gjatë 5 viteve të fundit.

Para 5 vitesh, pikërisht në 25 Janar, Sabrie Nuredini humbi çdo kontakt me bashkëshortin dhe që nga ajo ditë nuk ka marrë vesh asnjë lajm për të. Ai punonte si çoban në Maqedoni dhe komunikonin çdo ditë përmes telefonit, por krejt papritur ai u “zhduk” pa lënë asnjë gjurmë.

Sabrie tregon mes lotësh se ka qenë e vështirë për të dhe vetëm për hir të fëmijëve ka mbledhur veten dhe është përpjekur të punojë për të siguruar atyre jetesën.

Dy fëmijët kanë probleme shëndetësore dhe gjendja ekonomike në familjen e tyre nuk është aspak e mirë, prandaj nëna e 4 fëmijëve bën apel për ndihmë.

Mirela Milori: Ti ke dy fëmijë të sëmurë, të pamundur?

Sabrie Nuredini: Po!

Mirela Milori: Nga se vuajnë?

Sabrie Nuredini: Me epilepsi, ashtu më thotë doktoresha, por mua më shkon mendja mos kanë dhe diçka tjetër, nuk ha fare. Rri ashtu gjithmonë e dobët, fillon dhe qan kur ha bukë.

Mirela Milori: Nuk do të hajë?

Sabrie Nuredini: Jo! Nuk do të hajë asnjë gjë. Më dhemb koka thotë, krahu, këmba. E ka gjysmën e trupit…

Mirela Milori: E ke vizituar? Çfarë të thonë?

Sabrie Nuredini:  E kam vizituar, epilepsi. Qe prej dy vitesh kurohet me ilaçe. Edhe goca dhe çuni. Çuni për sytë, më kanë thënë kur të bëjë moshën 18 vjeç do bëhet operim.

Mirela Milori: Djali nga sytë çfarë ka?

Sabrie Nuredini: Ka një kokërr brenda në sy. Ia kanë hequr njëherë, e hoqën, por s’ia heqin dot se është shumë thellë ajo pjesa. Kur të bëjë moshën 18 vjeç do ta bëjmë operim.

Mirela Milori: Dua të di si ka vazhduar jeta jote që kur ti nuk ke më kontakte me bashkëshortin?

Sabrie Nuredini: Qëkur u largua ai, që nuk u bë i gjallë më, unë faktikisht u çorientova komplet, 2 muaj rrija duke u vërtitur nëpër shtëpi, edhe kalamajtë mbas meje. Njeri nuk kisha, s’kisha njeri afër. (Qan).

Mirela Milori: Njerëzit e tu të afërm?

Sabrie Nuredini: I kam larg, atje ku isha martuar. Pastaj e mblodha veten, i mora i thashë mos qani, hajde të vazhdojmë të punojmë. Edhe dilnin luanin. Pastaj u detyrova të bëja dru, të rrisja fëmijën. Fillova të mblidhja lule, kanaçe, të siguroja bukën e fëmijëve. Kështu e kam kaluar./tvklan.al