Investimet e radhës Bashkia e Tiranës, do t’i bëjë në lagjen e re të “5 Majit”, për të krijuar një qendër ku komuniteti mund t’i gjejë të gjithë shërbimet. Dy godina institucionesh publike dhe kulturore do krijojnë një ekosistem të ri ekonomik dhe shërbimesh sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

“Në lagjen ‘5 Maji’ kemi ardhur zakonisht për të inspektuar pallatet e reja, ku po strehohen familjet e prekura nga tërmeti. Janë edhe 70 familje të fundit, të cilat do të strehohen në pallatet që po mbarojnë në sfond. Vizioni i Kryeministrit ka qenë të mos ndërtojmë lagje vetëm për njerëzit që humbën shtëpitë prej tërmetit, por të sigurohemi që këtu ka edhe mjedise pune. Godina që shikoni, në formë gjysmë elipsi, është një godinë e përcaktuar për institucione publike. Duke sjellë mbi 1000 punonjës zyrtarë, sjellim edhe ekonomi për zonën, sjellin punësim, shërbime mbështetëse. Pra, krijohet një ekosistem ekonomik rreth kësaj zone”

Qëllimi i kryebashkiakut, është të krijojë Tiranën policentrike, ku me investimet e fundit edhe prona ka marrë tjetër vlerë.

“Më vjen mirë që në Njësinë 4, aty ku kalon një pjesë e gjurmës së Unazës, kemi pasur 100% bashkëpunim nga banorët. E vlerësoj faktin se edhe ata i janë bindur thirrjes. Kemi edhe pak shtëpi të fundit në Njësinë 1, ndoshta edhe në Njësinë 3. Në momentin që kemi bashkëpunim aty, edhe tek Njësia 11, sigurohemi që ecën shumë më shpejt puna edhe për Unazën. Kush ka kaluar në anën lindore të Unazës ia ka parë hajrin. Është rritur vlera e tokës, e pronës, ka filluar zhvillimi, ndaj është vetëm çështje kohe sa të mbrojë Unaza këtu. ARRSH-ja po ecën shumë shpejt. Në momentin që mbarojmë me Unazën, edhe kjo lagje nuk do ketë nevojën të përdorë rrugën ‘5 Maji’ ose rrugën dytësore, e të shtojë trafikun në Tiranë. Këtu mbrapa kap Unazën dhe del në çdo cep të Tiranës.”

Lagjja e re “5 Maji” në Tiranë është projektuar nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri. Ajo po ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë, dhe synon të kthehet në një qendër me një qasje të re të zhvillimit urban.

Tv Klan