Hajdutët vjedhin banesën e një ish-efektivi policie, tre adoleshentë dëmtuan një nga zyrat e OSHEE 

Familja Veneti në kryeqytet ka rënë pre e vjedhjes mbrëmjen e së dielës, ku persona ende të paidentifikuar kanë marrë 16 mijë lekë të reja dhe bizhuteri. Ngjarja ndodhi në rrugën në rrugën “Reshit Çollaku” në zonën e Shallvareve. Autorët të paidentifikuar, kanë thyer xhamat dhe më pas kanë hyrë për të marrë sendet brenda banesës. Shtëpia e grabitur është e një ish-efektivi policie. Mungesa e sendeve që janë marrë nga hajdutët u konstatua nga bashkëshortja, e cila njoftoi policinë. Këta të fundit kanë nisur hetimet, me zbardhjen e  pamjeve te kamerave në zonë dhe pyetjen e personave që mund të kenë dijeni.

Policia e Tiranës zbardhi dhe një tjetër tentativë grabitjeje, në një prej zyrave të OSHEE-së. Siç duket dhe nga këto pamje, mëngjesin e të shtunës rreth orës 4:44 minuta, tre të rinj afrohen pranë zyrës së OSHEE-së në Laprakë. Njëri prej tyre me sende të forta hap derën, ndërsa tjetri i maskuar, hyn brenda ambienteve. Brenda pak sekondash pasi kontrollon sirtarët e zyrës, ai largohet pasi nuk gjen para dhe sende të vlefshme. Një i tretë i pret tek rruga për t’i sinjalizuar për lëvizjet rastësore.

Sipas policisë, tre autorët ,adoleshentë të moshës 14 dhe 15 vjeç, janë shoqëruar në polici. Për shkak të moshës ata janë proceduar penalisht, ndërsa dyshohen se janë autorë dhe të dy vjedhjeve të tjera në zonën e Laprakës dhe të rrugës së Durrësit.  

Klan News