Dy ish-zëvendësdrejtorët, në detyrë edhe pse nën hetim




Dy ish-zëvendësdrejtorët, në detyrë edhe pse nën hetim

15:43 28/06/2022

Gënjyen mbi dinamikën e ngjarjes ku u vra Pjerin Xhuvani

Dy ish-zëvendësdrejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla të vënë në akuzë për deklarime të rremë të rrethanave të ngjarjes ku u u vra Pjerin Xhuvani, ndonëse në hetim, mbanin ende poste drejtuese në polici.

Albert Nushi u vu në arrest teksa mbante të njëjtin pozicion si në kohën e ngjarjes, si Zëvendësdrejtor Policie për Rendin dhe Sigurinë, por në Drejtorinë e Policisë Berat, ndërsa Nikollaq Palla ishte emëruar shef i sallës operative po në policinë e Elbasanit.

Të dy akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Deklarim të rremë” pasi kanë dhënë deklarata kontradiktore sa i takon dinamikës së ngjarjes si dhe nuk kanë kryer veprime për parandalimin e konfliktit ndonëse kanë qenë prezent në vendngjarje.

Në deklarimet paraprake të dhëna në atë kohë dy ish-drejtorët shpreheshin se kishin kryer procedurat për shoqërimin e personit që u denoncua nga grupi pranë PD, se një person po kryente shitblerje votash.

Megjithatë këto deklarime të dhëna ngritën shumë pikëpyetje dhe vetëm pak ditë pas krimit, më 5 maj 2021, SHÇBA nisi procedim penal ndaj tyre.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit vijon të ketë ende shumë paqartësi referuar dinamikës së saj. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur gëzhoja të qëlluara nga dy pistoleta, por ndonëse ka kaluar më shumë se një vit prokuroria ende nuk ka arritur të gjeje kush ishte personi tjetër që qëlloi veç ish-efektivit, Arbër Paplekaj, i cili ndodhet në burg si autor i vrasjes.

Tv Klan










Të ngjashme