Dy javë pas tërmetit, nis rindërtimi i shtëpisë së Fiqiri Lamit në Mazrek

Dy javë pas tërmetit, nis rindërtimi i shtëpisë së Fiqiri Lamit në Mazrek

13:39 06/10/2019

Veliaj: Premtim i mbajtur, shtëpia e Mom Hides gati për Vitin e Ri

Dy javë më parë, shtëpia e Mom Hides në Mazrek u bë e pabanueshme për shkak të tërmetit që përfshiu Tiranën dhe rrethinat. Ajo dhe familja e djalit të saj, Fiqiriut, mbetën jashtë, pasi banesa ishte e pasigurt për të kaluar natën. Pas inspektimit të dëmeve në terren, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i premtoi Mom Hides rindërtimin e shtëpisë, kurse sot ai u rikthye aty për nisjen e punimeve.

“Jemi këtu për të mbajtur fjalën, teksa hidhen themelet e shtëpisë së momës sonë. Nga lotët e trishtimit dhe shkatërrimit të ditëve të para, jemi sot në lotë gëzimi të ndërtimit të një shtëpie të re. Dua të falenderoj edhe familjarët që janë treguar solidarë, që po i strehojnë këto pak javë sa të mbarojmë shtëpinë. Por, kemi një pafundësi pikash e vatrash solidariteti në zonat rurale të Tiranës, ku secili prej sipërmarrësve ka adoptuar një shtëpi, edhe pse është fundjavë, të shtunë e të diel, apo ditë feste, po punohet që kur të vijnë festat e fundvitit, t’i gjejnë të gjitha familjet e dëmtuara në shtëpitë e reja”, tha Veliaj.

Ai falenderoi në mënyrë të veçantë komunitetin e biznesit që iu përgjigj menjëherë thirrjes për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti, ndërsa theksoi se Bashkia Tiranës po bën realitet të gjitha premtimet e dhëna, pavarësisht se vëmendja e opinionit publik dhe politikës tashmë ka kaluar në zhvillime të tjera. “I jam shumë mirënjohës gjithë komunitetit të biznesit në Tiranë, mikut tim Luan Bregasi, dhe të gjithë atyre që iu përgjigjën thirrjes së kryeministrit për solidaritet. E thashë edhe më parë: Ndonjëherë, lajmet për gjërat e mira apo këqija, tre ditë zgjasin, pas tri ditësh harrohen e fillon një lajm tjetër; por, ajo që premtuam është se tërmetin dhe dëmet që shkaktoi ai nuk do i harrojmë dhe mbi të gjitha, nuk do harrojmë fjalën që kemi dhënë, që do rikuperojmë në kohë rekord dëmtimet”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku theksoi se edhe në këtë rast, ashtu si në çdo rast tjetër emergjence, Tirana tregoi se është solidare me ata që janë të pamundur apo në vështirësi për shkak të situatave që shkaktojnë fenomenet natyrore. “Më buron nga zemra vetëm gëzim e mirënjohje, vetëm falenderim, për të gjithë ata që na kanë dhënë një dozë të jashtëzakonshme solidariteti. Këtu duket Tirana e vërtetë, kur vjen hataja, kur ndodh një përmbytje, një tërmet, jemi të gjithë të pambrojtur sepse janë gjëra që nuk i kemi në dorë, por ajo që kemi në dorë është të ringrihemi dhe të bëjmë realitet atë që na ndien zemra për njeri-tjetrin”, deklaroi Veliaj.

Mom Hidja e falenderoi kryebashkiakun për angazhimin e tij personal për t’i ardhur në ndihmë familjes së djalit të saj. “I falenderoj shumë të gjithë ata që kanë marrë pjesë për ndërtimin e shtëpisë. Nuk më ka pas shku mendja se do të bëhej”, tha Hide Lami.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, njëherësh përfaqësues i komunitet të biznesit, Luan Bregasi, tha se ndërtimi i kësaj shtëpie është një nga punët më të bukura që ka bërë ndonjëherë. “Kam bërë shumë gjëra të bukura në jetë dhe me shumë dëshirë, por gjëja më e bukur që do të mbetet është shtëpia e nënë Hides. Jemi këtu duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të Bashkisë, jo vetëm unë, por i gjithë komuniteti i biznesit ka marrë përsipër të ndërtojë shtëpitë e reja për banorët dhe familjet që u prekën nga tërmeti i këtyre ditëve. Do e mbarojmë jo për Vitin e Ri, por për festat e 28-29 nëntorit”, tha Bregasi.

Ai nënvizoi se komuniteti i biznesit i është përgjigjur me solidaritet maksimal thirrjes për të dhënë ndihmën e tyre për këto familje. /tvklan.al

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori