Reeker: Hap i rëndësishëm në arritjen e objektivit për burime të sigurta energjie

Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje me dy kompanitë amerikane Exxonmobile dhe Excelerate Energy, të cilat do të marrin përsipër të riparojnë e të venë në punë termocentralin e Vlorës.

Për palën shqiptare nënshkrimi është bërë nga Ministrja e Infrastrukturës Balluku që ishte në Teksas, ndërsa kryeministri e ambasadorja amerikane që siç tha Rama, ka pasur një rol të rëndësishëm në arritjen e kësaj marrëveshje, e kanë asistuar online gjithë aktivitetin.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për kaskadën e Skavicës, kjo është marrëveshja e dytë shumë e rëndësishme që arrihet me kompani të mëdha amerikane. Marrëveshja do të përmbajë 3 pika kryesore: futjen e gazit të lëngshëm (LNG) në Shqipëri, konvertimin e TEC-it të Vlorës që të punojë me këtë gaz, si dhe ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e gazit, duke shndërruar Vlorën në një treg rajonal.

Kjo marrëveshje shihet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si një siguri më shumë për Europën në tregun e energjisë dhe ka marrë përshëndetjen e zyrtarëve të lartë të këtij shteti.

“Shtetet e Bashkuara mbështetin Shqipërinë në avancimin e sigurisë energjetike në Europë. Objekti i TEC-it të Vlorës do të shënojnë një hap të rëndësishëm në zgjerimin e aksesit për diversifikimin e burimeve energjetike. Një Europë e sigurtë në burimet e energjisë është një partner më i fortë në arritjen e objektivave tanë në rajon dhe botë.”

Kompania Exxon Mobile kap një vlerë të ardhurash prej 265 miliardë dollarësh, ndërsa asetet e kompanisë Excelerate Energy kapin vlerën e 3 miliardë dollarëve.

Bisedimet me zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane kanë nisur në fillim të vitit 2020 e janë përqendruar në futjen e teknologjisë së tyre më të fundit, e cila lidhet me shpërndarjen e gazit natyror me kontenierë, pa patur nevojë për tubacione.

Tv Klan