Do të shqyrtohen dokumentet për privatizimin e klubit

Tashmë duket se vetëm dy konkurrentë janë në garë për të blerë 100% të aksioneve të klubit të futbollit Vllaznia. Albaphoto dhe Albasport& Entertainment, dy kompanitë e përfaqësuara nga sponsori aktual i klubit Alban Xhaferi si dhe Carpathia Albania- Almiro Gurakuqi e Burim Latifi kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për të vazhduar ankandin për privatizimin e klubit shkodran.

Bashkia e qytetit shqyrtoi dhe vlerësoi të gjithë dokumentacionin e subjekteve ofertues. Sipas informacioneve që kanë filtruar nga salla e Këshillit Bashkiak ku u zhvillua edhe faza e dytë e ankandit, mësohet se kompania Joni 5 Sh.p.k me përfaqësues Emiljano Zhupa, është skualifikuar pasi ka paraqitur ofertën me një vlerë 150 milionë lekë, Albaphoto dhe Albasport& Entertainment 62.5 milionë lekë dhe Carpathia Albania me 55 milionë lekë.

Subjekti i skualifikuar ka të drejtën e ankimimit brenda 7 ditëve. Më pas ankandi do të vijojë duke nisur nga oferta më e lartë, ajo prej 62.5 milionë lekëve e bërë nga sponsori aktual i klubit. Burime pranë stafit të Vllaznisë thonë për Tv Klan se çështja e privatizimit pritet të mbyllet në 2 javët e ardhshme.

Tv Klan