Balluku: Dy javë kohë të vlerësojmë ofertat, ndërtimi nis brenda Marsit

Gara për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës ka sjellë interesin e dy konsorciumeve ndërkombëtare për të marrë përsipër punimet dhe investimin financiar të kësaj vepre pavarësisht situatës që ka shkaktuar në aviacionin civil pandemia e Covid-19.

Në një intervistë për Televizionin Klan, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se sot ka përfunduar afati për dorëzimin e ofertave në tender, të cilat në pamje të parë duken të rregullta.

“Në syrin e parë që është hedhur nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, rezulton se përmbushen kushtet kryesore, siç është garancia bankare dhe financiare. Janë kompani të huaja dhe padyshim mund të kenë edhe aksionerë shqiptarë. Nuk kemi arritur ta kontrollojmë këtë”, u shpreh Balluku.

Nëse ofertat do të rezultojnë të suksesshme dhe nuk do të ketë ankimime, punimet pritet të nisin brenda muajit Mars. Ministrja Balluku sqaron se i ka kërkuar Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që të dalë me një rezultat brenda dy javëve të para të këtij muaji.

“Nëse ka një ofertë të suksesshme dhe nuk do të ketë ankimime nga kompania e dytë, në mes ose në fund të muajit Mars ne shpresojmë që të kemi një kontratë të firmosur midis palës koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe shtetit shqiptar”, shpjegoi Balluku.

Vlera minimale që duhet të investojë kompania për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është 89 milionë euro, ndërsa qeveria ka shpresa se fluksi i pasagjerëve që pritet të kalojnë përmes tij të mos përdorë formulën e garantimit të numrit të tyre nga shteti.

“Ne jemi shpresëplotë që edhe në aeroportin e Vlorës do të kemi një boom, sidomos pas pandemisë, të kërkesës për të udhëtuar, me parametra teknikë që aeroporti do të ketë, me kompanitë ajrore që ne synojmë të sjellim në Shqipëri”, shtoi Balluku.

Pandemia pezulloi garën e hapur më 20 Dhjetor 2019 për Aeroportin e Vlorës, e cila u rihap në fund të Nëntorit për t’u pezulluar disa javë pas një ankimimi të bërë nga një operator që shfaqi interes, duke vonuar në total me 1 vit procesin. Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në Akërni, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan-Vlorë dhe kompania fituese do të marrë menaxhimin e tij për 35 vjet.

Tv Klan