Ferati dhe Boldor, pozitivë me Covid-19

Dy dite para derbit me Tiranën dy futbollistë të Partizanit rezultojnë pozitivë me Covid-19. Lajmin e bëri publik klubi i kuq. Në njoftim thuhet se Deia Boldor dhe Besnik Ferati janë karantinuar në banesat e tyre dhe nuk kanë nevojë të marrin mjekim të specializuar në strukturat spitalore. Veç tyre, testimit i është nënshtruar edhe Amir Bilali, i cili ka patur kontakte me dy të parët, por rezultoi negativ.

Televizioni Klan ka mësuar se dy lojtarët pozitivë me koronavirus kishin shfaqur simptoma prej disa ditësh. Sipas informacioneve jo zyrtare, lojtarëve iu është bërë tamponi këtë të martë ndërsa pasditen e së mërkurës morën përgjigje për infektimin e tyre.

Klubi i Partizanit garanton se asnjë lojtar tjetër nuk ka simptoma të Covid-19.

Nga ana tjetër, ka dyshime se edhe tek Tirana ka dy lojtarë që dyshohet të jenë prekur nga virusi. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, as në rrugë jo zyrtare. Numri i kufizuar i lojtarëve të infektuar, nuk vë në rrezik zhvillimin e derbit që është parashikuar të mbahet në “Air Albania”, pa praninë e tifozëve.

Tv Klan