Ata shpresojnë që ta shfaqin atë në Paris gjatë Lojërave Olimpike
Dy miq në Francën perëndimore kanë ndërtuar një kopje 16 metra të lartë të Kullës Eiffel nga druri i ricikluar, për të cilin ata shpresojnë se do ta shfaqin përgjatë rrugës së stafetës së pishtarit olimpik të verës 2024.
Frederic Malmezac, një marangoz 38-vjeç dhe Sylvain Bouchard, 46 vjecc punuan së bashku për të ndërtuar modelin, duke përdorur dru që në kushte të tjera do të përfundonte duke u hedhur.
“Projekti ishte ndërtimi i një kopje druri të Kullës Eifel duke përdorur sa më shumë materiale të ricikluara, në mënyrë që të mbronim vlerat e ekologjisë që janë të çmuara për ne dhe të tregonim se, me gjërat që përfundojnë në mbeturina, ne mund të ndërtojmë gjëra të mëdha. Pastaj kemi edhe një dimension tjetër të përfshirjes, pasi ka punuar një person me aftësi të kufizuara, që është kolegu im Sylvain, me këtë projekt donim të tregonim se pavarësisht se kemi aftësi të kufizuara, ne mund të bëjmë gjëra të mëdha”.
Dy shokët përdorën rreth 825 copë druri në këtë kullë punimet për ndërtimin e së cilës filluan në shtator 2023.
“Kjo kopje e Kullës Eiffel është 16 metra e gjatë dhe 6.5 metra e gjerë në bazë. Përbëhet nga 825 copa druri të montuara duke përdorur rreth 5,400 vida.”
Të punuarit me dru për njërin nga dy miqtë është një pasion i vjetër.
“Unë e kam pasion punën me dru, kam 21 vjet që jam marangoz, punimet me dru i kam pasur gjithmonë pasion dhe kështu nisa këtë projekt, pasi fillimisht e dija që mund të merrja një sasi të madhe druri që supozohej të hidhej dhe unë doja të veçoja këto materiale. Gjithashtu, unë di të përdor mirë drurin dhe kështu kjo ishte një shenjë për mua.”
Ata shpresojnë që së shpejti të marrin autorizimin nga autoritet franceze për të shfaqur mini-kullën e tyre Eiffel pranë vendeve olimpike.
“Nga shtatori i vitit 2023, ne filluam konceptimin e kësaj Kulle Eiffel me qëllim që të jetë në Lojërat Olimpike të Paris 2024, të vizitojmë qytetet olimpike dhe paraolimpike ku do të kalojë flaka, pastaj vendet e garave olimpike dhe paraolimpike, dhe kështu po përpiqemi të futemi në këto ngjarje”.
Kjo kullë për Bouchard është shumë e rëndësishme për të.
“Fillimisht isha i papunë, kështu që kjo më lejoi të mësoja diçka konkrete, çfarë është zdrukthtari, duke përdorur mjete elektrike, të cilat nuk i dija. Përveç përdorimit të çekiçit dhe gozhdës në shtëpi për riparimin e mobiljeve, njohuritë e mia mbeten këtu. I jam mirënjohës Frederic, kam mësuar shumë gjëra në gjashtë muajt e ndërtimit të kësaj Kulle Eifel. Jam shumë i lumtur, është diçka që do të mbetet me mua.”
Për qytetarët e Francës Kulla Eiffel është një simbol i rëndësishëm ndërsa pikërisht në këtë monument organizatorët e Lojërave Olimpike kanë planifikuar të vendosin flakën olimpike.
“Kulla Eiffel përfaqëson Parisin, Francën, është një simbol i jashtëzakonshëm. Këtë vit, siç thashë më parë, ne po flasim për Olimpiadën dhe Paraolimpiadën që do të zhvillohet në Paris, në Francë dhe kështu që e gjithë kjo është ajo që përfaqëson Kulla Eiffel”.
Flaka do të ndizet në Olimpin antik të Greqisë, ku në të kaluarën e largët mbaheshin Lojërat Olimpike antike dhe do të qëndrojë në vend për rreth një javë përpara një ceremonie dorëzimi në Athinë dhe nisjes për në Francë.
Sipas traditës, pishtari olimpik simbolizon zjarrin që Prometeu vodhi nga perënditë në mitologjinë greke për ta dorëzuar atë tek njerëzit. Pishtari, pra, simbolizon dritën e dijes dhe arsyes së njerëzve.
Pas një ceremonie të shkurtër në Greqi, flaka më pas i dorëzohet qytetit pritës. Organizatorët e Parisit kanë thënë se do të përdorin një anije për ta çuar atë në qytetin port të Marsejës, ku do të zhvillohen garat e lundrimit të Lojërave Olimpike.
Me 150,000 vende pune dhe deri në 10.7 miliardë Euro të ardhura, kjo ngjarje e madhe ndërkombëtare shihet ndër të tjera një mundësi e jashtëzakonshme për Francën dhe ekonominë e saj. Nga këto, 78.300 vende pune do t’i dedikohen organizimit (transport, evente, komunikim etj.), 60.000 për turizëm (hotele dhe restorante, etj.), 11.700 për ndërtim.
Pikat më ikonike të Parisit pritet të shndërrohen në arena sportive për t’u ofruar spektatorëve një përvojë unike.
Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike Paris 2024 do të jenë ngjarja më e madhe e organizuar ndonjëherë në Francë të cilat do të zhvillohen nga 26 Korriku deri më 11 Gusht 2024.
Spektakli që do të zhvillohet gjatë atyre javëve do të mbetet në histori dhe Parisi do të jetë qendra e botës, e sportit dhe shumë më tepër.
Lojërat shihen si një festë për t’u ndarë me pjesën tjetër të botës. Ata përfaqësojnë një aventurë të re që do të çojë Francën në një përvojë ndryshe nga çdo gjë që është parë deri më tani.
Klan News