Dy grupe kompanish kanë shprehur interes për marrjen me koncesion të aksit Milot-Morinë,  pjesë e Rrugës së Kombit. Ato kanë paraqitur ofertat në Ministrinë e Transporteve, e cila do të bëjë vlerësimin ekonomik dhe teknik brenda afateve.

Burime të Televizionit Klan mësuan se bashkimi i përkohshëm i operatoreve “JV Catalyst”,  “Violap SA.”, “Salillari”, “Kastrati” dhe “BeeTech” ka paraqitur ofertën me 5 milion Euro, ndërsa grupi i kompanive “JV Vendeka Bilgi”, “PT Citra”, “MAU INSAAT”, “Savronik Sistem”, “Vendeka Europian Investment” dhe “EKMA” ka paraqitur ofertën me 5.6 milion Euro.

Ministria e Transporteve thotë se sipas afateve do të vlerësohet oferta më e mirë dhe nisur nga shifrat më e avantazhuar për të fituar koncesionin është bashkimi i operatorëve “Catalys and Salillari”.

Rezultati zyrtar megjithatë pritet të jepet brenda muajit Qershor. Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë për një periudhë 30-vjeçare, autostradën kundrejt një tarife prej 5 eurosh për çdo automjet që do të përshkojë segmentin Milot-Morinë.

Tentativat e mëparshme për dhënien me koncesion të kësaj rruge kanë dështuar për shkak të ofertave që, sipas Ministrisë së Transporteve binin ndesh me interesin publik, pasi ishin dy herë më të larta nga pritshmëritë.

Tv Klan