Një person është arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pas një operacioni antidrogë të realizuar nga forcat policore të Elbasanit dhe Librazhdit.

Aksioni antidrogë u krye pas informacioneve të marra në rrugë operative se dy persona që po udhëtonin nga Librazhdi në drejtim të Prrenjasit do të transportonin drogë në Maqedoninë e Veriut.

Drejtuesi i automjetit, me iniciale L.A., 41 vjeç, personi që është shpallur në kërkim, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi duke kryer manovra të rrezikshme dhe ka rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Shërbimet e policisë  kanë vijuar ndjekjen, ku shoferi së bashku me pasagjerin, një 43 vjeçar me iniciale L.N., kanë braktisur mjetin dhe kanë tentuar të marrin lëndën narkotike me vete.

Duke përfituar nga errësira janë larguar në pyll në zonën e fshatit Dragostunjë, ku dhe kanë braktisur edhe lëndën narkotike pasi po ndiqeshin nga shërbimet e policisë. Gjatë kontrollit të territorit u gjet i braktisur automjeti si dhe sasia e lëndës narkotike e llojit kanabis, me peshë rreth 32 kg.

Pasagjeri shtetasi L.N., u kap në dalje të Pikës Kufitare Qafë-Thanë, në tentativë për t’u larguar në shtetin e Maqedonisë së Veriut. Policia thotë se po vijon punën për kapjen e personit në kërkim si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al