Policia gjen makinën e të riut të braktisur në lagjen “5 Maji”

24-vjeçari Nardi Abazi i ka shpëtuar një atentati, ku persona të paidentifikuar dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të automjetit të tij tip Mercedez Benz. Ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 22 të mbrëmjes së të martës në rrugën “5 Maji” në kryeqytet.

Automjeti në drejtim të të cilit u qëllua është gjetur rastësisht në vendin e ngjarjes nga patrullat e policisë që qarkullonin në zonë kryesisht në kuadër të orës policore. Sipas burimeve, në sallën operative të Policisë së Tiranës nuk ka pasur telefonatë për të shtëna.

Mjeti është gjetur i braktisur dhe pas verifikimeve të targës është konstatuar pronari, 24 vjeçari Nardi Abazi. Ky i fundit është fshehur në zonën e “5 Majit”, ndërsa kur pa konstatuar praninë e policisë tek mjeti i tij, është afruar, nga ku ka dhënë dhe versionin e tij për ngjarjen.

Ai ka treguar për hetuesit se po lëvizte në zonë kur në drejtim të mjetit të tij është qëlluar me dy plumba, nga pjesa e përparme e xhamit të parë dhe autorët janë larguar. Megjithatë nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se në drejtim të makinës së 24-vjeçarit të jetë qëlluar me 5 plumba por vetëm dy prej tyre kanë kapur xhamin e parë të makinës.

Hetimet po vijojnë në disa drejtime, ndërsa janë ngritur disa pista. Grupi i punës dyshon për ndonjë konflikt i mundshëm që mund të ketë pasur 24-vjeçari në të kaluarën, pavarësisht se nuk rezulton të jetë ndaluar më parë dhe nuk ka precedent penal.

Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, por akoma nuk ka të arrestuar si autorë të dyshuar. Megjithatë janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë për të kontrolluar lëvizjet e mjeteve dhe të personave të tjerë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja.

Klan News