Rama dhe Basha joshin me imazhin në rrjetet sociale

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 Prillit, përveç aktiviteteve formale elektorale të mazhorancës dhe opozitës, duket se do të sjelle risi në prezantimin publik kryesisht të dy krerëve të blloqeve më të mëdha të politikës në vend.

Edi Rama është njohës i mirë dhe ia di vlerën marrëdhënieve me publikun dhe përdor çdo mënyrë të mundshme që të ofrohet ndryshe, sa më i afërt dhe i hapur me njerëzit në kontakt të drejtpërdrejtë apo edhe nëpërmjet mediave sociale.

Fotot e tij edhe me familjen e kryesisht ato me djalin e vogël herë pas here zënë faqet e portaleve duke marrë komente më së shumti pozitive. Fushata e ndërtimit të shtëpive për banorët e prekur nga tërmetet, është një tjetër hapësirë për Edi Ramën ndryshe, ku nuk përton të pyesë mikëpritësit e tij edhe për lopën e pse jo t’ia ktheje edhe ndonjë gote raki. Bërja e vaksinës antiCovid duket se e ndihmon atë të rrijë madje edhe pa maskë.

Por duket se edhe Lulzim Basha, po shkon në këtë drejtim. Në dukje tejet zyrtar, madje më shumë protokollar se ç’duhet për një lider opozite, Lulzim Basha ka bërë pjesë të fushatës së tij edhe vajtjen nëpër shtëpi, duke folur me njerëzit si mik e jo si politikan, por që sigurisht duke u bërë thirrje në fund për votë opozitare në zgjedhje.

Ajo që ka rënë në sy më tepër së fundmi është edhe nxjerrja e Bashës si familjari i mirë që uron Krishtlindjet me gjithë familjen, që i tregon përrallën e mbrëmjes vajzës së vogël, apo që edhe mund të bëjë ndonjë gatim shtëpie.

Të gjitha këto, si të hedhura pa dashje për publikun, por që sigurisht nuk janë të tilla. Të dyja palët, pavarësisht se zyrtarisht nuk është bërë e ditur, mësohet se kanë marrë si këshilltarë për ndërtimin e fushatës dhe marrëdhënieve me publikun kompani PR-i me ekspertë të huaj.

Ekspertë izraelite mësohet të kenë të dy palët në këtë fushatë elektorale. Janë ata, të cilët zhvillojnë sondazhe të brendshme, programojnë çdo gjë që nga daljet publike, te fusha ku duhet mëshuar më tepër në ditë të caktuara fushata, apo dhe deri tek ato fotot apo videot në dukje naive e familjare, të dy liderëve.

Për Ramën asgjë nuk është e re, sepse këtë lloj fushate ka bërë edhe më parë ndërsa për Bashën është një risi dhe një test i madh rezultatin e së cilës do e shohim më 26 Prill.

Tv Klan