Policia greke u zgjua e alarmuar këtë të mërkurë. Apelit të të burgosurve në burgun e sigurisë së lartë të Koriodalosit i mungonin dy shqiptarë të dënuar për vjedhje dhe grabitje me dhunë, Elvis dhe Leonard Pepa, këta që shihni në këto foto.

Dy të rinjtë që mendohet se janë ta afërm me njëri tjetrin nuk u gjetën në qelinë e tyre. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë u pa se ata kishin sharruar hekurat e dhomës së burgut dhe më pas kishin kapërcyer murin rrethues të burgut të sigurisë së lartë.

Mediat kanë publikuar edhe një litar të sajuar me rripa çantash, të cilin dy shqiptarët e përdorën për t’u arratisur.

Policia ka nisur një operacion të madh për gjetjen dhe kapjen e tyre, ndërsa Ministria e Drejtësisë urdhëroi kryerjen e një hetimi administrativ mbi rrethanat e arratisjes së dy shqiptarëve. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në ambientet e jashtme të burgut mbrëmjen e së martës mungonin dy nga rojet.

Para dy javësh, një tjetër shqiptar ishte arratisur me të njëjtën mënyrë, nga qelitë e drejtorisë policore të Atikës Perëndimore. Por ai u kap pas katër ditësh, kur forcat speciale ndërhynë në banesën e miqve të tij ku ai kishte gjetur strehë.

Nga burgun i Koridalosit është arratisur në 2006 edhe Alket Rizai. Arratisja e tij bëri bujë pasi për nxjerrjen nga burgu u përdor edhe një helikopter që  transportoi shqiptarin bashkë me një të dënuar grek.

Tv Klan