Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës pasi u kapën me tritol.

Të arrestuarit janë Ndue Bushati, 27 – vjeç, banues në Mamurras dhe Maliq Lika, 24 – vjeç, banues në Laç, i dënuar më parë për vjedhje.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se agjentët e Komisariatit të Policisë Nr 5, të dislokuar me shërbim në vendin e njohur si “Kthesa e Valiasit”, kanë konstatuar pranë një karburanti Ndue Bushatin, i cili po lëvizte në këmbë dhe kishte një qese me vete.

Lëvizjet e tij kanë qënë të dyshimta, që ka çuar në ndalimin e 27 – vjeçarit nga policia. Gjatë kontrollit, në brendësi të qeses, atij iu gjetën 11 kallëpe me lëndë eksplozive tritol, me peshë 450 gramë një.

Pasi u mor nga pyetje nga blutë e Tiranës, Bushati konfirmoi se lëndën e kishte marrë në aksin rrugor Fushë Krujë – Laç, nga Maliq Lika, i cili e kishte porositur ta dërgonte në Tiranë.

Menjëherë janë nisur shërbimet të cilët bënë të mundur kapjen e Likës. Gjatë kontrollit, 24 – vjeçarit iu gjetën 85 fishekë, model 56.

Aktualisht, efektivët e policisë po punojnë për të gjetur destinacionin dhe përdorimit kësaj lënde eksplozive./tvklan.al