Dy të hënat e ardhshme, ajo e 11 Majit dhe 18 Maji, janë shumë të rëndësishme sa i përket rihapjes së vendit. Qeveria ka vendosur që fillimisht të hapen bizneset e trajtimit të flokëve, estetike, trajtimeve trupore dhe klinikat dentare.

Por kthimi i këtyre bizneseve në punë do të shoqërohet me një sërë masash. Prandaj në faqen e-albania, është publikuar protokolli i verdhë i masave higjieno-sanitare për llojin e parë të biznesit, atë të estetikës.

Do të jetë pronari ose administratori që duhet të kontrollojë çdo ditë punonjësit e tij. Nëse dikush ka shenja të Covid-19, ky person duhet të kontaktojë me 127-n. Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: doreza mbrojtëse, maska dhe higjienizues duarsh me mbi 60% alkool. Dezinfektimi i duarve do të kryhet menjëherë pas ardhjes në punë si dhe para dhe pas çdo klienti që shërbehet.

“Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve, si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë”.

Punonjësit dhe klientët janë të detyruar gjatë gjithë kohës që të përdorin doreza mbrojtëse dhe maskë.

“Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) një përdorimëshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Veshje plastike për këpucët përdorin edhe ofruesit e shërbimit nëse nuk përdorin këpucë/ shapka të brendshme sterile”.

Ndërkohë sa i përket klinikave dentare, protokolli rekomandon që të shtyhen vizitat jo urgjente. Kjo pasi punonjësit e klinikave dentare janë të rrezikuar për shkak të afërsisë me pacientit.

“Të gjithë subjektet klinika dentare, duhet të kenë një komunikim paraprakisht me pacientët para trajtimit urgjent dentar. Të triazhohen pacientët paraprakisht nëpërmjet telefonit për gjendjen dentare të pacientëve dhe me pas të përcaktohet takimi për në klinikën dentare. T`i jepen pacientëve udhëzime të hollësishme të kujdesit në shtëpi dhe çdo medikament të përshtatshëm farmaceutik kur vizitat e planifikuar vonohen në kohë”.

Më 18 Maj do të hapen baret dhe restorante në mjedise të hapura, ku edhe për këto biznese janë përcaktuar protokollet e higjienës. Çdo punonjës i lokalit që ka shenja të sëmundjes duhet që të deklarojë nëse ka pasur kontakte me të infektuar.

Në raste të tjera, është administratori që i kontrollon çdo ditë. Ai duhet që të lajmërojë 127-n për rastet e dyshimta mes punëtorëve. Këtyre subjekteve do t’u lejohet puna vetëm brenda orarit të caktuar nga qeveria.

“Subjekti bar – kafe ose restorant, duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment, sapun, letër për pastrimin e duarve, maskat, dorezat dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë. Në hyrje subjekti bar – kafe ose restorant, duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool”.

Në protokoll rekomandohet shmangia  e parave në dorë, por përdorimi i kartave të kreditit. Brenda lokalit nuk do të lejohet kontakti fizik mes punonjësve dhe palëve të treta përfshirë përshëndetjet. Masat janë marrë edhe për distancën e tavolinave.

“Subjekti bar – kafe ose restorant duhet të vendosë në sipërfaqen e ambientit të hapur tavolinat, në atë mënyrë, që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri – tjetrin nga një distancë prej të paktën 2m. Subjekti bar – kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe një korridor për daljen nga ambienti”.

Edhe qendrat tregtare do të hapen me 18 Maj. Protokolli i sigurisë rekomandon që një vizitor mund të qëndrojë vetëm për maksimum 2 orë dhe në qendër nuk mund të lejohen më shumë se 50% e kapacitetit të saj në të njëjtën kohë. Shërbimet tregtare me tavolina apo shërbim në këmbë, nuk do të lejohen gjatë kësaj periudhe në ambientet e brendshme të qendrës tregtare.

Protokolli i sigurisë në qendra estetike

Protokolli i sigurisë në klinika dentare

Protokolli i sigurisë në bare dhe restorante

Protokolli i sigurisë në qendra tregtare

/tvklan.al