Dy persona mbetën të vdekur pasi u aksidentuan me makinë, ndërkohë që ndiqeshin nga policia në West Yorkshire të Britanisë. Sipas asaj që shkruan DailyMail, makina BMW u përplas me barrierat anësore të rrugës pranë stacionit të autobusit Brighouse, rreth orës 13:00, ndërkohë që një automjet i policisë së West Yorkshire iu ishte vënë nga pas. Dy personat që ndodheshin në mjet humbën jetën. Ata besohet se janë rreth të 20-ave.

“Sipas informacioneve të deritanishme, mësojmë se një automjet i policisë së West Yorkshire u vu në ndjekje të një makine në qendër të Brighouse. Pak kohë më vonë, makina u përplas me barrierat në rrugën Bradford. Dy personat që ndodheshin në mjet, të cilët besohet se janë rreth të 20-ave, kanë humbur jetën. Familjarët e tyre janë informuar dhe ne do të mbajmë kontakt me ta për të shpjeguar rolin tonë”, tha policia britanike në një njoftim paraprak për ngjarjen.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar dhe ekzaminuar rrethanat e asaj që ndodhi. Mbetet e paqartë për çfarë arsye policia ishte vënë në ndjekje të dy të rinjve./tvklan.al