Policia: Kemi identifikuar makinën e autorëve

Dy persona mbetën të vrarë mbrëmjen e kësaj të hëne në qytetin e Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:55, në lagjen nr. 14, në rrugën afër tregut të perimeve. Viktimat, sipas korrespondentes së Tv Klan në Durrës, janë 35-vjeçari Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç. Policia thotë se ata dyshohet se u ekzekutuan me armë zjarri, megjithatë rrethanat e ngjarjes së rëndë janë akoma të paqarta.

Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta policore të cilat ngritën pika kontrolli dhe rrethuan zonën në një perimetër të gjerë. Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli edhe nga Policia e Tiranës e Fierit në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnje. Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.

Paraprakisht policia thotë se autorët dyshohet të kenë qëlluar nga një automjet në lëvizje, targat e së cilës janë arritur identifikohen nga autoritetet, që janë vënë në ndjekje të autorëve.

Pak kohë pas ngjarjes, në Kavajë u gjet në flakë një automjet tip Benz me targa të vjedhura, që dyshohet se u përket autorëve.

Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje, duke grumbulluar dhe fiksuar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes./tvklan.al