4 të vrarë vetëm gjatë pasdites

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur vendin këtë të hënë, këtë herë në Durrës. Dy persona janë gjetur të vrarë brenda një automjeti, në tregun e makinave të Shenavlashit.

Viktimat janë dy vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, përkatësisht 27 dhe 35 vjeç. Ata janë me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës. Dy vëllezërit mësohet se ishin pronarë të një biznesi të tregtimit të automjeteve. Momentalisht rrethanat e ngjarjes janë të paqarta.

“Rreth orës 16:40, tek vendi i quajtur “tregu i makinave”, Shënvlash, në rrethana ende të paqarta kanë humbur jetën në një mjet, dyshohet si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit shtetasit V.H dhe M.H (vëllezër).

Forca të shumta policie po krehin zonën ndërkohë që në hyrje daljet kryesore dhe rrugët dytësore forcat e policisë po ushtrojnë kontrolle të shumta  të personave dhe automjeteve që lëvizin në këtë zonë. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë mbërritur Forcat Speciale Renea dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës.

Është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor i përbërë me Specialistët të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe nën drejtim e Prokurorisë vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale që do çonte në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëvë“, thotë Policia e Durrësit në një njoftim për mediat.

Po gjatë orëve të pasdites dy persona rreth të 60-ve u gjetën në vrarë në fshatin Lalm i Vjetër të Lezhës. Edhe në këtë rast rrethanat e ngjarjes janë të paqarta. Në njoftimin e saj për mediat, policia tha se ata mund të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, por pa dhënë detaje të tjera./tvklan.al