Nuk kanë fund tragjeditë për familjen e futbollistit Emiliano Sala, i cili humbi jetën më 21 Janar kur aeroplani i vogël me të cilin udhëtonte u përplas në det. Mediat e huaja raportojnë se mëngjesin e sotëm ka vdekur edhe babai i Emiliano Sala, Horacio Sala. 58-vjeçari humbi jetën si pasojë e një ataku në zemër.

Ndihma e shpejtë shkoi në banesën e z.Sala mëngjesin e kësaj të premteje, por nuk mundën të bënin asgjë. Ai jetonte së bashku me partneren në Progreso, një qytet i vogël me 3 mijë banorë në Argjentinë, në veriperëndim të kryeqytetit Buenos Aires.

Vetëm pak ditë më parë, humbi jetën në një aksident automobilistik edhe Sebastian Rabellino 24 vjeç, futbollist dhe mik i hershëm i Emiliano Sala. Ai u përfshi në një aksident të rëndë pranë qytetit Progreso. Automjeti me të cilën po udhëtonte u përplas me një kamion, thanë autoritetet argjentinase. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur.

Tre muaj më parë, futbollisti 28-vjeçar Emiliano Sala humbi jetën në një aksident ajror. Më 21 Janar avioni i tij u rrëzua në det pranë brigjeve franceze. Më 8 Shkurt ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupin e pajetë të të riut dhe të pilotit të avionit.

/tvklan.al