Policia kufitare e Rinasit ka arrestuar dy turq të cilët do të udhëtonin nga Shqipëria drejt Kanadasë. Gjatë kontrollit të dokumentacionit, punonjësit e policisë dyshuan se vizat e turqve S.S. 39 vjeç dhe H.C. 41 vjeç ishte false. Nga ekzaminimi në laborator, rezultoi se vizat ishin të falsifikuara. Dy udhëtarët turq u arrestuan në flagrancë me akuzën e falsifikimit të vizave dhe falsifikimit të dokumenteve.

Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019, Policia Kufitare e Rinasit ka proceduar dhe arrestuar 457 persona për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu u është refuzuar dalja nga Shqipëria 1157 qytetarëve pasi nuk plotësonin kushtet për udhëtim në zonën Schengen. Ndërsa 60 shtetas të huaj nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka pasur rritje të numrit të pasagjerëve në aeroportin “Nënë Tereza”, konkretisht 141.559 udhëtarë më shumë. /tvklan.al