Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një inspektim në Thumanë, 14 orë nga përvjetori i dytë i tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntor të 2019-ës. Rama falenderoi të gjithë personat që kanë marrë pjesë në ndërtimin e lagjes së re, ndërsa tha se rindërtimi ka qenë një histori suksesi e kthimit të krizës në energji të madhe në favor të njerëzve. Rama tha se qeveria ka vendosur gjithçka për të mundësuar ndërtimin e shtëpive të reja për qytetarët e prekur.

“Kemi bërë atë që askush nuk e mendonte dhe ky është fakt. Kemi vendosur gjithçka, mendjen, zemrën, kohën, gjithçka për të mos lejuar që këta njerëz të harrohen siç harrohen ndër vite. Kush thotë të kundërtën, i them që 8 vite më parë edhe një fond përmbytjesh ishte aty i papaguar. Sot jemi para një transformimi kolosal. Të gjitha këto familje sot kanë një pasuri shumë herë më të madhe se ato që kishin”, tha Rama.  

Rama njoftoi se cisterna e fshatit do të kthehet në një simbol të kësaj lagjeje, në një simbol të kujtesës dhe shpresës. Sipas Ramës këto pallate janë të cilësisë më të lartë dhe “janë pallate që blihen nga ata që janë më të kamur në Tiranë”. Sipas Ramës gjatë rindërtimit janë angazhuar 27 mijë forca pune.

“Bashkia e Krujës do të vazhdojë me ne edhe një punë në disa detaje të vogla për t’i dhënë më shumë hapësirë të vegjëlve. Gjë që besoj se do të materializohet edhe në 1 Qershorin e ardhshëm. Më kujtohet një debat që kam bërë me disa djem të rinj dy tre ditë pas tragjedisë, që ndërkohë që të tjerët qanin hallin e çatisë, ata qanin hallin e futbollit. U thashë që do të bëjmë disa fusha. Më përshëndetën me dy gishta dhe më panë me dyshim, por shpresoj që të jenë të kënaqur. Nuk mbaron këtu puna. Duam që Thumana të bëhet destinacion edhe për të tjerët. Kemi një liqen që do ta adresojmë si aset për të turizëm të brendshëm të fundjavës. Ka shumë familje që mund të vijnë këtu dhe të argëtojnë fëmijët”.

“Jam krenar që siç thashë shumica e familjarëve që do të marrin shtëpitë janë familje që përndryshe nuk do të mundin t’ia dilnin. Është bërë plus, ku të dëmtuarit nën një kulm ka qenë në një kurorë, përfitojnë që shtëpi individuale saç kanë kurora. Përtej shakasë që është gjithmonë gjysma e së vërtetës, në këtë proces ne kemi pasur në mes një ndërhyrje shumë brutale nga pandemia. Do të kishim përfunduar më shpejt, por patëm disa bllokime”, tha më tej kreu i qeverisë.

Kreu i qeverisë tha se të gjitha donacionet janë administruar nga vetë donatorët. Sipas tij qeveria thjesht ka kaluar projektet dhe ka kërkuar që të jenë me standardet më të larta.

“Bota të gjitha ato që i ka dhënë i administron vetë. Donacioni turk administrohet vetë nga Republika e Turqisë. Tek ne kanë kaluar vetëm projektet dhe ne kemi qenë pjesë vetëm për standardet dhe projektet. Pjesa tjetër, garat, disbursimi i parave nuk e përfshin qeverinë shqiptare, qoftë për lagjen në Laç, disa shkolla. Asgjë nuk kalon përmes nesh. Gjithçka ne kemi ndërtuar është nga buxheti i shtetit shqiptar. Janë disa që thonë “hë se janë bërë me borxhe”. Nuk e di si bëhen ndryshe, por nuk ka shtet pa borxhe”, tha Rama. /tvklan.al