Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës dështoi dy herë. Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë, nga 80 që është kuorumi i nevojshëm që raundi i parë të quhet i mbyllur. Kjo bëri që ky raund të përsëritej, por sërish kuorumi nuk u plotësua. Në votimin e dytë morën pjesë 79 deputetë.

Në këto kushte, kreu i Kuvendit Glauk Konjufca vendosi të ndërpriste seancën dhe njoftoi seancën e radhës ditën e diel, në orën 17:00.

Zgjedhja e presidentit në Kosovë kalon në tre raunde. Në dy të parat në kutinë e votimit duhet të jenë 80 fletë votimi, ndërsa në të tretin presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, që do të thotë se i duhen votat e 61 deputetëve. Megjithatë, edhe në këtë raund duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse të treja raundet dështojnë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por çfarë ndodh nëse në raundin e parë nuk janë 80 fletë votimi në kuti? Mediat në Kosovë shkruajnë se raundi përsëritet derisa ky kuorum të plotësohet.

Kjo do të thotë se edhe votimi për vetëm një raund mund të vijojë për orë, apo edhe ditë me radhë.

Megjithatë, një moment që janë dy kandidatura për president, zgjedhja e tij duhet të bëhet brenda 60 ditëve. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet.

Në rastin konkret Kosova e ka një president në detyrë, që është kreu i Kuvendit, i cili e mban këtë post deri më datë 5 Maj. Ky është pikërisht dhe afati që Kosova ka për të zgjedhur presidentin. Nëse kjo nuk ndodh, fati është po i njëjtën. Vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Në garë për presidentin e Kosovës janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta./tvklan.al