Alarmi në një studim britanik: Pasoja fatale tek shëndeti i njeriut

Ditët kur termometri shënon 50 gradë Celcius janë dyfishuar që prej viteve ’80. Alarmin e jep një studim i medias publike britanike BBC, që konstaton se temperaturat përvëluese po prekin çdo vit e më shumë, rajone të globit që nuk kanë pasur kurrë më parë mot të nxehtë.

Përllogaritjet tregojnë se në periudhën mes viteve 1980-2009, temperaturat 50 gradë Celcius kanë zgjatur mesatarisht 14 ditë nëpër rajone të ndryshme të globit. Hapësira kohore gati u dyfishua në 26 ditë, gjatë periudhës mes viteve 2010-2019.

Temperatura të tilla kanë dominuar historikisht Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, por harta është zgjeruar dekadën e fundit edhe me vendet e Afrikës së Veriut dhe Amerikës Veriore, kryesisht rajonet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, që nuk shquhen për të nxehtin ekstrem. Ekspertët e Universitetit të Oksfordit, thonë se i nxehti ekstrem lidhet 100% çlirimin e dioksidit të karbonit nga djegia e karburanteve.

Me shtimin e zonave me temperatura të larta deri në vitin 2100, pasojat do të jenë të gjithanshme, kryesisht tek shëndeti i njerëzve, por edhe tek shtimi i thatësirës, pakësimi i burimeve të ujit të pijshëm e ushqimeve.

Tv Klan