DPSHTRR: Eliminojmë sekserët

Për të marrrë një leje drejtimi të kategorisë B qytetarët këtë vit do duhet të paguajnë minimum nga 85 mijë Lekë. Ky dyfishim i çmimit vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga DPSHTRR, DPT dhe shoqata e autoshkollave, që kanë dakordësuar çmimet minimale të unifikuara për orët teorike dhe praktike.

Sipas DPSHTRR, ndryshimi bëhet për të eleminuar sekserët dhe konkurrencën e pandershme që ka përfshirë tregun e autoshkollave.

“Kjo marrëveshje ndihmon që ne të fuqizojmë autoshkollat e ndershme, të mbrojmë autoshkollat e ndershme. Duhet të pranojmë që jo të gjithë janë të tillë. Kemi sot ende fenomenin e sekserëve të cilët bredhin lart e poshtë duke i gjetur atyre një autoshkollë sa për letra. Ka rënë vlera e autoshkollimit”, thotë drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe.

Sipas marrëveshjes, për të shmangur abuzimet, çdo autoshkollë do duhet të deklarojë të gjitha të ardhurat tatimore dhe orët që do zhvillojë secili aplikant për leje drejtimi.

“Nuk mundet më të regjistrosh kursantë në autoshkollë në rast se nuk ke provuar në dokumentacionin e regjistrimit është kryer një proces i gjithi i formalizuar edhe i cili përfshin të gjitha kostot e domosdoshme minimale të autoshkollimit.”

Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi brenda muajit Mars. Një seancë mësimore në praktikë në autoshkolla do të kushtojë minimumi 500 Lekë, ndërsa një seancë praktike 935 Lekë.

Tv Klan