Muaji i parë i vitit 2024 është mbyllur me një dyfishim të aksidenteve rrugore në krahasim me janarin e 2023-it. Sipas INSTAT, në këtë janar kanë ndodhur 162 aksidente rrugore, nga 84 të regjistruara për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky muaj ka shënuar gjithashtu numrin më të lartë të aksidenteve të ndodhura në po të njëjtën periudhë për të paktën 9 vitet e fundit. Për pasojë është edhe fillimviti më i përgjakur me 229 viktima dhe të plagosur.

Në krahasim me vjet ka një rritje me 92% të numrin të të aksidentuarve. Sipas INSTAT në 84% të rasteve aksidentet kanë ardhur si pasojë e drejtuesit të mjetit, pjesa tjetër për faj të sjelljes së këmbësorëve.

19% e ngjarjeve kanë ndodhur përgjatë ditëve të marta. Grupmosha 25-34 vjeç rezulton më problematikja pasi kanë shkaktuar shumicën e ngjarjeve rrugore për janarin. Numri më i lartë i tyre ka ndodhur në qarkun e Tiranës, Lezhës dhe Durrësit. Për vitin e kaluar Mosdhënia e përparësisë, sjellja e gabuar e këmbësorit dhe shpejtësia ishin shkaqet kryesore te aksidenteve.

Tv Klan