Dhjetëra qytetarë i janë drejtuar zyrave rajonale të Agjencisë së Legalizimit të Zonave Urbane për të nisur procedurat e regjistrimit të banesave të ndërtuara përpara vitit 1991.

Për vite me radhë ata kanë pritur dhe janë sorollatur nga zyrat e pushtetit qendror e deri në ato të bashkive e komunave, por pa marrë zgjidhje. Me vendimin e Këshillit të Ministrave të Korrikut të këtij viti kompetencat i kanë kaluar ALUIZNI-t. Vasilie Thanasi ka vite që pret të regjistrojë shtëpinë e saj, e cila është ndërtuar që në vitin 1971, por akoma nuk ka arritur të marrë hipotekën.

Ajo thotë se banesa e saj është në kombinat dhe se e ka të pamundur që të vijë e të interesohet në zyrat e rajonale të ALUIZNI-t.

Por kreu i kësaj agjencie Artan Lame, thotë se formulari mund të printohet shumë lehtë nga faqja e internetit, të plotësohet dhe të dërgohet me postë, pa patur nevojë të krijohen radhë dhe pritje të gjata.

Mosregjistrimi i banesave ka krijuar probleme të ndryshme për qytetarët, që nga penalizimi për të marrë një kredi, e deri te pamundësia për ta shitur në rastin që emigrohet.

Janë afërsisht 60 mijë objekte që tashmë do të arrijnë të përfitojnë hipotekën. Përveç matjes që do të bëjnë skuadrat e ALUIZNI-t, personat duhet të vërtetojnë pronësinë me: leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica, gen plane apo vendime të Këshillave Popullore.

Tv Klan