Historia e Erionit që kërkon nënën e tij biologjike dhe Lutfijes, e cila nuk mban mend të ketë sjellë në jetë një djalë në vitin 1979, por analiza e ADN-së provoi lidhjen e tyre gjenetike, është e pazakontë.

Edhe pse thoshte se nuk e mbante mend lindjen e tij, si provë e pakundërshtueshme, ADN-ja përcaktoi se Erioni dhe Lutfija janë nënë e bir. Ajo e pranoi djalin dhe të shoqëruar nga Rehana, bashkëshortja e tij, janë larguar tashmë nga studioja e “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Për të hedhur dritë mbi dyshimet dhe dilemat e këtij rasti, moderatori i programit “E Diela  Shqiptare” në Tv Klan fton shkrimtaren dhe neurologen Brunilda Zllami. Ajo e vendos historinë në kontekstin mjekësor për të na bërë të kuptojmë çfarë ndodh me një nënë që nuk mban mend të ketë sjellë në jetë  një fëmijë.

Brunilda Zllami: Ka disa gjëra që vërtet të bëjnë përshtypje përveç anës emocionale që krijonte kjo histori, padyshim. Në lidhje me disa mospërputhje në rrëfime, por në kontekstin tuaj që investigoni më gjerë, ju i shikoni si mospërputhje kohore për të vendosur të dhënat në vendin e duhur. Në kontekstin mjekësor, mund të jenë të dhëna të një diçkaje më shumë, pavarësisht se absolutisht nuk mund të flitet pa parë pacientin, pa marrë të dhëna nga familja, pa marrë të dhënat nga të gjithë që e rrethojnë, por janë disa gjëra të dyshimta që të lindin mendimin mos fshihet ndonjë patologji qoftë neurologjike apo qoftë e natyrës psikologjike në këtë mes.

Edhe gjatë momenteve në studio, Lutfija u pyet nëse e kuptonte se çfarë është analiza e ADN-së dhe u shpreh se e dinte që tregon lidhje gjaku ose jo. Ajo pranoi që në fillim për ta kryer, pavarësisht ishte e bindur që nuk kishte lindur një djalë në vitin 1979. Kjo rrëzon pistën se mund të donte ta fshihte këtë ngjarje qëllimisht, por sipas shpjegimit të mjekes, një hipotezë është që truri i saj ta ketë fshirë në mënyrë të pavullnetshme.

Brunilda Zllami: Kuptohet, në rast se personi ka çrregullime fillestare të kujtesës, në momente të tilla stresi se kjo ka qenë një situatë që ka induktuar stres, padyshim, mund të bëjë një sjellje e cila nuk është krejt racionale. Pra unë e dëgjoja që thoshte e pranoj, por që nuk mbante mend një event aq të rëndësishëm sepse lindja e një fëmije nuk është një moment, pra ka një histori paraardhëse, ka një kohë të gjatë konceptimi, mbajtje në barkun e nënës dhe është vetë procesi i lindjes dhe kuptohet vetë lidhja e nënës me fëmijën është një lidhje deri diku mistike, është më e fuqishmja në botë. Nëse faza fillestare e  kësaj gruaje që nuk mban mend ta ketë lindur këtë fëmijë dhe në disa kontekste të të folurit fliste bindshëm për këtë, mund të jetë edhe e pavullnetshme nga ana e saj si një fshirje e këtij momenti. Ka njerëz që përjetojnë trauma të rëndësishme, kryesisht psikologjike, por edhe fizike ose të dyja bashkë në të cilën truri, si një organ që ka detyrë ta bmrojë njeriun, jo vetëm të depozitojë kujtime, por edhe të fshehë kujtime të dhimbshme, e kapsulon këtë kujtim të trishtë jashtë koshiencës dhe ka persona që nuk mbajnë mend eventin. Kjo është një hipotezë sepse zakonisht flitet për evente të shkurtra, trauma të shkurtra, jo i tërë ky event kaq i madh e megjithatë mendja po kështu është e mistershme në mënyrën si ajo vepron. Për sa u përket çrregullimeve të tjera në mënyrën që mund të konsiderohen si faza të ndonjë  çrregullimi konjtiiv, konjitiv është i njohjes domethënë, madhor, mund të kemi një dyshim se, mund, gjithmonë them mund, mund të ketë filluar një çrregullim i kujtesës pavarësisht se fjalinë e kishte të ruajtur, domethënë emocionin e kishte të ruajtur në kontekstin e përgjigjeve, shkathtësisë, por gjërat ndonjëherë fillojnë në mënyrë incidioze dhe kulmojnë në periudha të cilat mund të konsiderohen edhe periudha të tilla stresi.

Neurologia shpjegon se ligji i kujtesës vepron si një magazinë e madhe ku kujtimet e vjetra ndodhen në fund dhe ka gjithnjë vend për të reja. Në rastin e Lutfijes, hipoteza që ngrihet është se truri mund të   mos ketë pranuar më kujtime të reja. Ajo gjithashtu përmendi se kishte pësuar një aksident dhe ishte goditur nga një makinë dhe sipas Zllamit, edhe traumat  fizike mund të prekin kujtesën.

Mjekja rendit të gjithë faktorët që mund të shkaktojnë çrregullim të kujtesës dhe çfarë mund ta shtyjë Lutfijen për të qenë e bindur se nuk ka sjellë në jetë një fëmijë.

Brunilda Zllami: Në këtë fazë, në rast se zonja vërtet nuk e mban mend dhe mund të jetë që nuk e e mban mend, ka ndikuar një stres i madh i kësaj situate që truri për të mbrojtur veten, e ka fshirë këtë kujtim. Megjithatë, kjo është një hipotezë.

Ardit Gjebrea: Është një hipotezë sepse shkojmë në deduksionin që pas analizave të ADN-së që vërtetohet që janë nënë e bir, nuk mund të ketë më kundërshti për këtë gjë.

Brunilda Zllami: Por ka edhe gjëra të tjera që ndodhin gjatë jetës. Kur flasim për çrregullime të kujtesës, të gjithë mendojnë skleroza. Po, është hipoteza, është çrregullimi i kujtesës më i njohur. Çrregullimi i kujtesës mund të vijë nga shumë gjëra, mund të vijë nga goditje, trauma të kokës, mund të vijë nga sëmundje të ndryshme që prekin sistemet, sëmundje metabolike,mund të vijë nga intoksikacioni, mund të vijë nga përdorimi i ilaçeve, por mund të vijë edhe nga të gjithë çrregullimet e shëndetit mendor. Qoftë  edhe një depresion mund ta imitojë sklerozën sepse një njeri me depresion nuk ka afeksion për momentin, nuk percepton gjërat e reja, nuk ka qejf të komunikojë, edhe një ankth mund ta imitojë, por ankthi është më i dukshëm edhe në pamje. Gjykimet nëse pacientja, zonja ka ndonjë shqetësim të anës psikologjike apo psikiatrike…

Ardit Gjebrea: Askush nuk ka dhënë ndonjë indikacion që të ketë.

Brunilda Zllami: A është ndonjë mënyrë e vullnetshme për të mbrojtur jetën e saj, atë që ndërtoi, atë që zgjodhi me dashje apo pa dashje, për të mbrojtur emrin, dinjitetin, moralin, fëmijët apo bashkëshortin, domethënë ne si qenie njerëzore, bukuria jonë është që jemi të ndërvarur nga të tjerët dhe një pjesë e dashurisë që tregojmë është pikërisht edhe përkujdesja për të tjerët, pra për të gjithë ata që i  konsiderojmë të afërt. Kështu që nuk mund ta thuash për momentin, por mbi të gjitha, duhet vlerësuar dhe aftësia, kapaciteti mendor për të kuptuar të gjithë elementët që janë servirur, pra e  kupton vërtet që ADN-ja është një ekzaminim i cili jep një vendim të plotë dhe përfundimtar?

Ardit Gjebrea: Qartë.

Brunilda Zllami: Se të thuash një gjë dhe ta dëgjosh një gjë e ta kuptosh një gjë janë gjëra të cilat  mund të jenë pjesë e një zinxhiri, por mund të jenë edhe të shkëputura nga patologji e gjendje emocionale të ndryshme që ne kemi./tvklan.al